Aleanca kërkon interpelancë ndaj Kurtit për dialogun strategjik me SHBA-në
Aleanca ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Albin Kurti lidhur me ndërprerjen e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka bërë të ditur kreu i Grupit Parlamentar t ksaj partie, Besnik Tahiri.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Tahiri njoftoi se seanca e radhës do të mbahet të enjten dhe se atë ditë janë paraparë dy seanca.
Ai ka theksuar se Aleanca ka kërkuar që Kurti të raportojë para deputetëve për çështjen e dialogut strategjik me SHBA-në, duke shtuar se në mbledhjen e kaluar kryeministri nuk kishte qenë i pranishëm dhe se interpelanca është paraparë për seancën e radhës.
“Ne si grup parlamentar, pra Aleanca, ka pasur një interpelancë për kryeministrin Kurti që lidhet me kërkesën tonë për të diskutuar dështimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë të enjte nuk ishte Kurti në Kosovë është shtyrë për seancën e radhës”, ka deklaruar ai.
Tahiri theksoi se forcimi i marrëdhënieve me SHBA-në dhe vazhdimi i dialogut strategjik janë jetike për Kosovën, veçanërisht për procesin e integrimit në NATO, sigurimin e njohjeve të reja dhe angazhimin e administratës së presidentit amerikan Donald Trump.















