Janë disa ngjarje që rikthehen në vëmendje, sepse pas tyre mbeten ende pikëpyetje dhe të vërteta që kërkojnë të zbardhen.
E tillë është historia e 34-vjeçares Merita Grëmaj, e cila në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 të moderatores dhe autores Evis Ahmeti denoncoi publikisht dhunën dhe abuzimin që kishte përjetuar nga ish-bashkëjetuesi i saj, 52-vjeçari Bledar Bakaj. Akuza të rënda, të cilat ky i fundit i ka mohuar.
Në emisionin e kaluar, përballë kësaj historie, dëshmuan edhe babai i Meritës dhe vetë ajo, duke ngritur një tjetër shqetësim që lidhej me kryeplakun e fshatit. Ata pretenduan se ai kishte marrëdhënie miqësore me Bledar Bakajn dhe se shkonte pranë familjes për t’u përcjellë kërcënimet që ky i fundit u drejtonte. Një dëshmi që hapi një tjetër dimension të kësaj historie dhe që sot kërkon sqarime.
Ndërkohë, më 13 shtator 2026, në fshatin Suk të Roskovecit, pavarësisht një urdhri mbrojtjeje, Bakaj shkoi në banesën e ish-bashkëjetueses. Pas një konflikti, ai dyshohet se plagosi me drapër në këmbë babanë 67-vjeçar të saj. Policia e arrestoi rreth gjysmë ore pas ngjarjes. Për këtë episod, Gjykata e Fierit caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa hetimet vijojnë.
Sot rikthehemi te kjo histori, këtë herë me një tjetër dëshmi në studio, atë të kryeplakut të fshatit. Çfarë qëndrimi mban ai për akuzat e ngritura nga babë e bijë? Cila është e vërteta e marrëdhënies së tij me Bledar Bakajn? Dhe a mund të kishte vepruar ndryshe përballë kërcënimeve të pretenduara?Ndiqni emisionin.
Kryeplaku: Është përmendur emri im në mënyrë të padrejtë. Unë jam biri i fshatit, prandaj më kanë zgjedhur.
Merita Grëmaj: Është mashtrues ai.
Kryeplaku: Merita ka ikur me dëshirë me atë Bledarin. Kur e kam pyetur Enverin, më ka thënë: “Më lër rehat”.
Enver Gremaj: Ku e di kryeplaku se si iku vajza ime? Kur nuk je në dijeni, pse flet?
Kryeplaku: Pse ke thënë ti që unë të kam kërcënuar? Merita ka ikur me dëshirë. Unë do t’i ruaj vajzat e fshatit, se nga shkojnë? Më mori Enveri në telefon se më kishte ikur vajza? Unë nuk jam në familje. Ata e shpëtuan vetë Bledar Bakajn dhe tani ankohen. Unë nuk jam me asnjë, nuk jam i ndikuar. Nëse nuk më njofton njeri, unë nuk shkoj.
Kurrë s’kam kërcënuar. Unë autorit i kam thënë: “Ik që këtu, se do të vë hekurat”. Kaq, kjo është e gjitha. Enverit i kam thënë se vajza kishte ikur dhe se fliste në telefon me autorin. Ku të kam ardhur, Enver, që të kam thënë se “Bledar Bakaj do t’ju vrasë”?
Enver Gremaj: Po nuk më erdhe në shtëpi për sqarim? Kryeplaku na tha se “do na vriste Bledari”.
Kryeplaku: Unë të thashë që Bledari do të të takojë. Ose e kam mbrojtur unë Enverin, o nuk e ka mbrojtur njeri.
Enver Gremaj: Po të duash, pohoje, po të duash, mohoje. Mua ai më vrau në shtëpi.
