Buxheti i vitit 2027 parashikon 5.45 miliardë lekë për kulturën, me një rritje të ndjeshme prej 80% të fondeve të destinuara për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, me qëllim ruajtjen e historisë dhe rijetëzimin e monumenteve. Janë planifikuar ndërhyrje në shkallë kombëtare, nga veriu në jug, dhe një program i veçantë për kullat që përfshin katër qarqe — Dibrën, Shkodrën, Lezhën dhe Kukësin — ku shumë nga këto kulla do të rijetëzohen.
Me fondin për kulturën, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit synon restaurimin e disa muzeve kombëtare dhe të atyre që varen nga Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore. Zv/ministrja e Kulturës, Lira Pipa, njoftoi planet për ndërhyrje në Muzeun e Krujës dhe Muzeun “Pavarësia”, ky i fundit i kaluar në konsultim publik. Është parashikuar gjithashtu një ekspozitë muzeale në Teatrin e Operas dhe Baletit.
Për adresimin e nevojave për burime njerëzore, sidomos gjatë periudhave me fluks turistësh, janë parashikuar 70 vende të reja pune që do t’u shtohen institucioneve artistike dhe kulturore. Galeria Kombëtare e Arteve dhe Qendra e Kulturës për Fëmijë pritet të hapin dyert vitin e ardhshëm, ndërsa punimet do të vijojnë për Muzeun Kombëtar.
Po ashtu pritet të hyjë në fuqi Fondi Kombëtar për Artin, i cili do të shfrytëzojë 10% të kursimeve nga tenderët për blerjen e veprave arti në ankandet kombëtare dhe ndërkombëtare. Zv/ministrja bëri të ditur se këtë vit ishin alokuar fonde për blerjen e koleksionit të fotografit Gjon Mili dhe ekziston parashikim për blerjen e veprave të ndryshme nga artistët shqiptarë në fondin e Galerisë së Arteve.
Gjithashtu, gjatë javës së fundit u hodh në konsultim publik reforma për artin dhe kulturën që parashikon një ndryshim të rëndësishëm në të ardhurat e institucioneve kulturore: nga 30% që mbajnë aktualisht, këto institucione do të kenë mundësinë të mbajnë 90% të të ardhurave të gjeneruara, një masë që synon të rrisë autonominë profesionale dhe artistike.
