Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka zhvilluar një takim me anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.

Përmes një postimi në platformën X, Schuebel ka bërë të ditur se një nga temat kryesore të diskutimit ishte zbatimi i prioriteteve të përcaktuara në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën 2026, si dhe reformat që lidhen me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.


Ai ka theksuar se këto reforma duhet të avancohen në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që vendi të përfitojë si në aspektin politik, ashtu edhe në atë financiar.

“Prioritizimi i zbatimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2026 dhe reformave që lidhen me Planin e Rritjes, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë, në mënyrë që Kosova të përfitojë si politikisht, ashtu edhe financiarisht, ishte një nga temat kryesore që diskutova sot me anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës”, ka shkruar Schuebel.

Ambasadori evropian ka bërë të ditur se gjatë takimit ka ofruar mbështetjen e Bashkimit Evropian për punën e këtij komisioni, përfshirë ekspertizën e nevojshme në avancimin e reformave.

“Kam ofruar mbështetjen e BE-së për punën dhe ekspertizën e tyre në avancimin e reformave që do ta afrojnë Kosovën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka theksuar ai.

Schuebel ka përfunduar postimin e tij me mesazhin se Bashkimi Evropian mbetet pranë Kosovës në procesin e integrimit evropian. /Telegrafi/