
Barcelona po përballet me një problem që po përsëritet nga ndeshja në ndeshje: mungesa e një hierarkie të qartë për ekzekutimin e penalltive. Gabimi i fundit i Lamine Yamalit në sfidën ndaj Villarrealit ka bërë që trajneri Hansi Flick të mendojë për ndërhyrje konkrete për t’i dhënë fund kësaj situate.
Pas fitores me përmbysje në shtëpi ndaj Villarrealit, tekniku gjerman pranoi se duhet të marrë masa për të sistemuar këtë çështje. Deri më tani, Barcelona nuk ka përcaktuar qartë se cili lojtar duhet të jetë ekzekutuesi i parë nga pika e bardhë, duke lënë hapësirë për zgjedhje që jo gjithmonë kanë rezultuar të suksesshme.
Megjithatë, Flick duket se e ka zgjidhjen brenda skuadrës. Raphinha ka treguar një siguri të veçantë në ekzekutimin e penalltive, pasi ka realizuar të 11 goditjet që ka marrë përsipër si lojtar i Barcelonës.
Në krahun tjetër, statistikat e Lamine Yamalit janë më pak bindëse. Talenti spanjoll ka shndërruar në gol 7 nga 10 penalltitë e ekzekutuara, duke lënë të kuptohet se Raphinha mund të jetë alternativa më e besueshme në këtë moment.
