Kreu i PD, Sali Berisha ka akuzuar qeverinë për kontrollin e një pjese të konsiderueshme të mediave në Shqipëri, duke ngritur shqetësime për censurën, kufizimin e pluralizmit mediatik dhe pabarazinë në pasqyrimin e aktivitetit politik.
Gjatë një konference për shtyp në selinë e PD-së, Berisha deklaroi se rreth 90% e mediave kontrollohen nga qeveria. Sipas tij, ndikimi shtrihet në përmbajtjen e lajmeve, studiot e debateve televizive dhe linjat editoriale.
Ai u shpreh se ky fenomen cenon rolin e medias si garantuese e informimit të lirë dhe e shndërron atë në një instrument propagande në shërbim të qeverisë.
Në mbështetje të pretendimeve të tij, Berisha iu referua edhe një studimi mbi mediat me licencë jokombëtare, të cilat, sipas tij, paraqesin një tendencë të ngjashme me mediat kombëtare në pasqyrimin e politikës.
Berisha: Terri informativ dhe censura janë tipare kardinale të diktaturave dhe regjimeve autoritare, narkodiktaturave.
Në mënyrën më të përsëritur kemi paraqitur para jush, kemi denoncuar faktin tragjik se 90% e medieve kontrollohen nga qeveria.
Sipas vëzhguesve të pavarur, ky kontroll ushtrohet në lajme.
Ky kontroll ushtrohet në studiot e debateve. Ky kontroll ushtrohet në linjat editoriale.
Dhe, kjo përbën një shndërrim të medieve në instrumente të të keqes banale, që përfaqësohet nga qeveria dhe mashtrimet e saj.
Para jush kemi paraqitur në mënyrë të përsëritur mediat e quajtura kombëtare, që për qëndrimet që mbajnë ndaj parimeve demokratike, janë antidemokratike dhe antikombëtare, të cilat në mënyrë të pamëshirë dhe në verbëri të plotë i kushtojnë Padrinos dhe organizatës së tij kriminale rreth 80-90 % të të gjithë kapacitetit të tyre informativ, debat, editorial, etj.
Kemi bërë një studim tjetër të medieve me licencë jokombëtare, të cilat për fat të keq ndjekin në një mënyrë ose në një tjetër ato kombëtare.
Pra, në këto media, siç e shihni, për qeverinë transmetojnë 58%, për opozitën 41%.













