Një numër prej mbi 450 shkollash në Gjermani, si dhe disa institucione arsimore në Danimarkë, morën këtë të hënë kërcënime për bomba me e-mail.
Policia në të dyja shtetet ka hapur hetime, por deri tani nuk është identifikuar ndonjë kërcënim konkret.
Të lidhura
None found
Policia e Freiburgut bëri të ditur se mesazhet kishin mbërritur në rreth 450 shkolla në gjithë Gjermaninë, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
“Deri në këtë moment nuk kemi prova se institucionet arsimore të kontaktuara janë përballë një rreziku konkret”, deklaroi policia e Freiburgut.
Një vlerësim të ngjashëm dha edhe policia e Berlinit. Autoritetet në Turingi, ndërkaq, u kërkuan shkollave të vazhdonin normalisht veprimtarinë. Sipas policisë, mesazhet duket se synonin të nxisnin frikë e panik, jo të paralajmëronin një veprim konkret.
Në Danimarkë, policia konfirmoi se po hetonte disa kërcënime për bomba të drejtuara ndaj shkollave në zona të ndryshme të vendit.
Autoritetet daneze thanë se informacionet e mbledhura deri tani nuk japin arsye për shqetësim.
Këto raste ndodhin në një kohë kur disa vende të Evropës janë përballur me kërcënime të ngjashme dhe sulme kibernetike ndaj institucioneve e shërbimeve të ndryshme.
Javën e kaluar, mbi 10 shkolla në Spanjë u evakuuan pas kërcënimeve për bomba të dërguara me e-mail. Në fillim të këtij muaji, mijëra shkolla në Itali morën mesazhe të ngjashme, çka çoi në evakuimin e disa institucioneve.







