Atentati në Fier/ Sel Çami u ekzekutua në oborr! Makina e autorëve me targa false! Policia ruan të plagosurin në spital

12:37, 23/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Vrasja e Selami Hasanit në Fier, dyshohet se autorët ishin dy persona, zbardhen detaje nga skema e ekzekutimit

Policia vijon hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes së Selami Hasanit, i njohur si Sel Çami. Burime konfidenciale pranë grupit hetimor kanë zbuluar për Syrin skemën e atentatit.

Sipas këtyre burimeve, dyshohet se në ngjarje kanë marrë pjesë dy persona, të cilët kanë përdorur një automjet për të mbërritur në vendin ku ndodhej Selami Hasani, 60 vjeç. Njëri prej tyre dyshohet se e ka pritur në makinë, me motorin ndezur, pasi rruga ku ndodhej viktima ishte pa dalje. Ndërkohë, personi tjetër ka zbritur nga automjeti dhe, pasi ka konstatuar se Hasani po punonte pranë murit rrethues të banesës tij në skelë, e ka qëlluar me armë zjarri, dyshohet pistoletë me silenciator.

Si pasojë e të shtënave, Selami Hasani ka humbur jetën në vend, ndërsa është plagosur edhe nipi i tij, Jakup Hasani, 47 vjeç, i cili ndodhej pranë tij në momentin e sulmit. Pas krimit, autori është larguar me shpejtësi dhe është bashkuar me personin tjetër në automjet, me të cilin janë larguar nga vendngjarja.

Rreth 30 minuta pas vrasjes, automjeti i përdorur dyshohet se është gjetur i djegur në zonën pranë rrethrrotullimit të Apolonisë. Sipas të njëjtave burime, autorët mund të kenë përdorur më pas një automjet të dytë, i cili i ka pritur në një rrugë dytësore, në dalje të rrethrrotullimit të Pojanit, në drejtim të Apolonisë.

Burimet pranë Policisë bëjnë me dije se automjeti i djegur dyshohet të ketë qenë i vjedhur, ndërsa targat që mbante rezultojnë të falsifikuara.

Grupi hetimor po punon për këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë dhe identifikimin e personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.

I plagosuri Jakup Hasani u dërgua në spitalin e Fierit ku ka marr ndihmën e parë mjekësore dhe është jasht rrezikut për jetën. Ndërkohë trupi i viktimës ndodhet në morg dhe po kryhet ekspertiza mjeko ligjore nga ekspertë të kriminalistikës të ardhur nga Tirana.

Selami Hasani ishte dënuar me 25 vite burg për ngjarje e ndodhur më 25 mars 2002, pranë zonës së njohur si “Sheshi i Valutës” Gjatë një shkëmbimi zjarri mbetën të vrarë Julian Isufaj, nipi i Ben Qimes dhe kambisti Esat Tare, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj, ky i fundit kalimtar i rastit.

Njoftimi i policise

Fier/Sqarim

Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur në lagjen “1 Maji”, Fier, sqarojmë se shtetasi J. H., 47 vjeç, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri, nuk është vëllai i shtetasit S. H., 60 vjeç, që mbeti i vrarë, por është nipi i tij.

Ndërkohë, të gjitha shërbimet e Policisë janë angazhuar maksimalisht për kapjen e autorëve, ku vijojnë kontrollet në zonë, në disa banesa dhe ambiente të ndryshme.

Njëkohësisht, janë koordinuar veprimet edhe me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Vlorë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet për fiksimin e çdo prove që do t'i shërbejë hetimit për zbardhjen e autorësisë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco