Një operacion i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Gramsh ka përfunduar me dy persona të arrestuar, një të ndaluar dhe një tjetër të shpallur në kërkim, nën dyshimet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa banesa, në zbatim të vendimit të Gjykatës, autoritetet kanë sekuestruar 560 gramë kokainë të dyshuar, 150 gramë Cannabis Sativa dhe 0.62 gramë të tjera lëndë të dyshuar kokainë.
Në pranga kanë përfunduar dy persona, T.H., 33 vjeç dhe R.H., 39 vjeç. Sipas AMP-së, të dy ndodheshin më parë nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një vepër tjetër penale. Ndërkohë, me urdhër të Prokurorisë është ndaluar E.S., 46 vjeç, ndërsa A.J., 31 vjeç, është shpallur në kërkim.
Operacioni është zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit. AMP bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar kriminale, si dhe për të zbardhur çdo përfshirje të mundshme të punonjësve të Policisë në këtë aktivitet. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
AMP arreston 3 shtetas në Gramsh, shpall në kërkim një tjetër dhe heton 2 punonjës policie
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka kryer veprime hetimore në kuadër të një procedimi penal për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i Kodit Penal, në qytetin e Gramshit.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, janë ushtruar kontrolle në banesat e disa shtetasve, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 560 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, 150 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe 0.62 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale:
* U bë arrestimi në flagrancë i shtetasve T. H., 33 vjeç dhe R.H., 39 vjeç, të dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal. Ndaj të dy shtetasve ishte caktuar më parë masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një vepër tjetër penale.
* Në zbatim të urdhrit të Prokurorit, u bë ndalimi i shtetasit E.S., 46 vjeç, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
* Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.J., 31 vjeç, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal, vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të përfshirjes së punonjësve të Policisë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net