Fondet për mbrojtjen rriten më shpejt se kapacitetet për t’i shpenzuar

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes po rritet me shpejtësi vitet e fundit, duke tejkaluar mundësitë dhe kapacitetet që Forcat e Armatosura kanë për t’i shpenzuar këto fonde, pa marrë në konsideratë eficiencën në përdorimin e tyre.
Për shembull, vetëm buxheti i investimeve në Ministrinë e Mbrojtjes për këtë vit, pas rishikimit të mes-vitit, është 37 miliardë lekë (rreth 400 milionë euro), ndërsa deri në fund të gushtit ishin realizuar vetëm 8 miliardë lekë, ose 21% e planit. Teksa të dhënat nga buxheti faktik i vitit 2025 tregojnë se Ministria e Mbrojtjes realizoi vetëm 72% të fondeve në dispozicion.
Pavarësisht ecurisë tejet të dobët të zbatimit të planit të këtij viti, Ministria e Mbrojtjes do të ketë një rritje të lartë të financimeve edhe vitin e ardhshëm, në krahasim me shumicën e funksioneve të tjera me rëndësi po aq strategjike për vendin, si arsimi dhe shëndetësia.
Në vitin 2027, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes është projektuar në 76.6 miliardë lekë, ose rreth 830 milionë euro, 10% më shumë se plani i këtij viti. Nga kjo shumë, 43 miliardë lekë, ose rreth 460 milionë euro, janë parashikuar për investime kapitale.
Ndërmjet vitit 2019 dhe programit të vitit 2027, fondet për Ministrinë e Mbrojtjes janë rritur me 252%. Për herë të parë, në vitin 2027, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes tejkalon edhe atë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Rritja do të jetë e fortë edhe në vitet në vijim, për të arritur në 170 miliardë lekë në vitin 2035 (rreth 1.7 miliardë euro). Shpenzimet për ushtrinë do të kryesojnë hierarkinë e shpenzimeve publike pas fondit të pensioneve. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Financave, po shqyrtohen edhe masa të tjera, si përmirësimi i administrimit tatimor, për të gjeneruar të ardhura shtesë për financimin e mbrojtjes.
Por, ndërsa fondet për ushtrinë rriten, gjurmimi i përdorimit të tyre mbetet i vështirë për shkak të natyrës së veprimtarisë së sektorit të mbrojtjes, ku një pjesë e prokurimeve zhvillohen me procedura sekrete ose pa garë të hapur. Edhe në vendet e zhvilluara, transparenca në përdorimin e fondeve për mbrojtjen mbetet një sfidë.
Në raport me kapacitetet e financave publike shqiptare, financimet për mbrojtjen janë të larta. Megjithatë, duke marrë parasysh gjendjen aktuale të Forcave të Armatosura, shumat e parashikuara mbeten të pamjaftueshme për ta bërë ushtrinë shqiptare konkurruese në rajon.
Shqipëria nuk disponon kapacitete të plota të aviacionit luftarak dhe të flotës detare ushtarake. Burime nga Forcat e Armatosura pohojnë se ushtria shqiptare vuan mungesën e burimeve njerëzore dhe të aftësive në disa fusha kyçe. Emigrimi i të rinjve ka krijuar boshllëqe në personel, ndërsa mosha mesatare e efektivëve po rritet. Megjithëse shërbimi ushtarak është me pagesë, interesi për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura mbetet i ulët.
Financimet për mbrojtjen parashikohet të arrijnë në vijim në 5% të PBB-së. Nga kjo shumë, 3.5% e PBB-së do të shpenzohet për kapacitetet e mirëfillta të mbrojtjes, ndërsa 1.5% e PBB-së do të destinohet për infrastrukturën e mbrojtjes, forcimin e qëndrueshmërisë dhe realizimin e projekteve konkrete, si Korridori VIII dhe Porti i Porto-Romanos, në kuadër të bashkëfinancimit me NATO-n, si dhe projekte të tjera për përmirësimin e infrastrukturës dhe aseteve ajrore./ B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.











