Ekzekutimi i Selami Hasanit, i njohur si “Sel Çami”, paraditen e kësaj të hëne në oborrin e banesës së tij në Fier, rikthen në vëmendje sagën e vrasjeve mes familjes Hasani, Yzeiraj dhe Isufaj.
Në vitin 1994, Enver Isufaj, babai i Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, u vra në një bilardo në zonën e Sheqit në Fier. Sipas vendimeve gjyqësore, në këtë vrasje morën pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Selami Hasanit.
Përplasjet vijuan edhe në vitin 2002, ku më 25 mars të këtij viti, në vendin e njohur si “Sheshi i Valutës” në Fier, një fuoristradë Mercedes-Benz u qëllua me armë zjarri. Nga atentati mbetën të vrarë Julian Isufi dhe Esat Taze, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj.
Për këtë ngjarje, Selami Hasani u shpall fajtor për bashkëpunim në vrasje dhe u dënua me 25 vite burg, dënim i konfirmuar nga Gjykata e Lartë në vitin 2010. Ndërsam Pëllumb Yzeiraj u dënua me burgim të përjetshëm.
Pas disa vitesh në kërkim, Hasani u arrestua në gusht të vitit 2009 nga forcat RENEA në banesën e tij në lagjen “1 Maji” në Fier. Ai kishte përfunduar dënimin dhe sipas raportimeve, kishte dalë nga burgu pak kohë më parë.
Tashmë, 24 vite pas atentatit të vitit 2002, Selami Hasani është ekzekutuar në banesë. Ai u qëllua teksa po punonte në murin rrethues të shtëpisë. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe nipi i tij, Jakup Hasani, i cili u dërgua në Spitalin Rajonal të Fierit.
Për momentin, pista e hakmarrjes mbetet një nga dyshimet e hetuesve.
Autorët, të cilët dyshohet se kanë qenë të paktën 2 dyshohet se janë larguar në drejtim të Vlorës, ndërsa në fshatin Dërmenas është gjetur një automjet “Volvo” i djegur, që dyshohet se është përdorur në krim. Sakaq, hetimet po vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve
© SYRI.net