Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka ndarë momentin më personal dhe prekës nga betejë e saj me kancerin në trailer-in e dokumentarit “Heal”. Në një skenë të trailer-it, ajo shfaqet duke ecur në mal me vëllain James Middleton, i cili e pyet: “Nuk është traditë të godasësh këmbanën kur largohesh nga Royal Marsden?” Kate i përgjigjet: “Po, por unë nuk e godita këmbanën.” James i thotë menjëherë: “Atëherë, ndoshta kjo është këmbana jote”, duke iu referuar ngjitjes së tyre në mal si simbol të fitores mbi sëmundjen, raporton Daily Mail.
Kur Kate njoftoi diagnozën në mars 2024, James kishte shkruar në Instagram: “Kemi ngjitur shumë male së bashku gjatë viteve. Si familje, do ta ngjisim edhe këtë bashkë me ty.” Dy vjet më vonë, premtimi u bë realitet: vëllai dhe motra ndërmorën sfidën “National Three Peaks”, ngjitjen e majave më të larta të Skocisë, Anglisë dhe Uellsit brenda 24 orëve për të mbledhur fonde për The Royal Marsden Cancer Charity.
James tregoi se kishin folur për ngjitjen edhe kur Kate ishte në spital dhe për fuqinë shëruese të natyrës. Në korrik ai shkroi: “Para dy vitesh të thashë se do ta ngjisnim këtë mal së bashku” dhe shtoi: “Jam jashtëzakonisht krenar për motrën time të dashur”, duke admiruar forcën, qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e saj.
Dokumentari ndjek Kate gjatë eksperiencës malore dhe eksploron jetën pas diagnozës, duke u përqendruar në mënyrën se si njerëzit gjejnë ngushëllim, forcë dhe shpresë në kohë sëmundjeje të rëndë. Në trailer dëgjohet Kate: “Kanceri të ndryshon. Ndryshon trupin tënd, të ndryshon fizikisht. Por ka edhe diçka shumë më të thellë që ndryshon brenda teje një diagnozë e tillë.” Në fund të dokumentarit, ajo kthehet tek familja dhe përqafon fëmijët — Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis — përpara se të ndajë një përqafim me bashkëshortin, Princin William.
Kate shprehet gjithashtu: “Është e qartë se nuk jemi krijuar për t’i përballuar vetëm vështirësitë e jetës. Gjërat mund të rinovohen dhe të rriten përsëri. Shpesh, përmes dhimbjes kuptojmë se ka një bukuri shumë më të madhe përtej saj.”
