Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Do të paraqesim amendamentet për rritjen e pagave, minimumin jetik 200 euro dhe dyfishimin e pensioneve


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të paraqesë amendamentet e saj për buxhetin dhe paketën fiskale, duke kërkuar rritjen e pagave, vendosjen e minimumit jetik në 200 euro dhe një sistem rritjeje pensionesh që synon dyfishimin e tyre.

Në një deklaratë për mediat, Berisha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse Partia Demokratike do të paraqesë amendamente për buxhetin, i cili të enjten pritet të kalojë në Kuvend nen për nen, së bashku me paketën fiskale.

Kreu i PD-së kritikoi paketën fiskale, duke e cilësuar si një goditje të rëndë për qytetarët, bizneset e vogla, profesionet e lira dhe investitorët.

Sipas tij, taksimi i profesioneve të lira, përfshirja e më shumë se 17,500 bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së dhe dyfishimi i taksës mbi dividentin do të sjellin pasoja negative për ekonominë.

Berisha u shpreh se ulja e TVSH-së për ushqimet është shoqëruar me vendosjen e TVSH-së për njësitë tregtare që i shesin ato, ndërsa shtoi se ndryshimet fiskale do të ndikojnë edhe në rritjen e çmimeve të shërbimeve për qytetarët.

“Sigurisht që Partia Demokratike ka dhe do të ketë amendamentet e veta për paketën fiskale dhe jo vetëm”, deklaroi Berisha, duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe abuzime me fondet e buxhetit.

Ai u ndal te shpenzimet operative, të cilat sipas tij janë rritur ndjeshëm, duke i krahasuar me nivelin e vitit 2013. Berisha pretendoi se nga 300 milionë euro në atë periudhë, shpenzimet operative kanë arritur sot në 930 milionë euro, duke i cilësuar rreth 500 milionë euro si shpenzime abuzive.

Kreu i opozitës kritikoi gjithashtu fondet e parashikuara për investime, duke pretenduar se një pjesë e konsiderueshme e tyre përfundon në korrupsion. Sipas tij, nga 2.2 miliardë euro të parashikuara për investime, të paktën 1.8 miliardë euro janë në rrezik të shpërdorohen.

Berisha theksoi se amendamentet e Partisë Demokratike do të përfshijnë rritjen e pagës minimale me 50%, rritjen e pagës mesatare me 30% dhe vendosjen e minimumit jetik në 200 euro.

“Asnjë pension jo i plotë apo i çfarëdo llojit nuk mund të jetë nën 200 euro, dhe një sistem rritjesh pensionesh që ecin drejt dyfishimit të tyre”, u shpreh ai.

Berisha deklaroi gjithashtu se PD do të kërkojë uljen e fondeve për investime në 700-800 milionë euro, duke u shprehur se me këto para mund të realizohen më shumë projekte sesa ato që, sipas tij, ka kryer qeveria gjatë katër viteve të fundit.

Në fund, ai akuzoi shumicën parlamentare se nuk u jep hapësirë deputetëve për të diskutuar dhe argumentuar qëndrimet e tyre në Kuvend, duke theksuar se opozita do të vijojë të paraqesë propozimet e saj përpara qytetarëve.