Një tragjedi e rëndë ka tronditur qytetin e Cincinnati-t në SHBA, ku një 4-vjeçar ka humbur jetën pasi ka qëlluar aksidentalisht veten me një armë zjarri që kishte gjetur poshtë krevatit në banesën ku po qëndronte.

Sipas autoriteteve, vogëlushi Ceontay Miller Jr. ishte lënë nën kujdesin e tezes dhe partnerit të saj, të cilët dyshohet se e kishin lënë vetëm me vëllain 1-vjeçar. Fëmijët po qëndronin në apartament duke parë televizor, kur 4-vjeçari gjeti armën e mbushur me fishekë.

Teksa po luante me të, ai e drejtoi armën nga vetja dhe tërhoqi këmbëzën. Vogëlushi u transportua me urgjencë në spitalin Mercy West, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk arriti të mbijetonte.

Situata u bë edhe më alarmante kur një banore e pallatit gjeti foshnjën 1-vjeçare duke lëvizur i vetëm në korridor, të mbuluar me gjak. Fqinja, Latoya Davis, ndërhyri menjëherë, telefonoi urgjencën dhe u kujdes për të miturin për disa orë, pasi kuptoi se ai ishte lënë pa mbikëqyrje.

Për ngjarjen janë arrestuar Cameron Sanders, 25 vjeç, dhe Cekyiah Miller, 22 vjeçe. Të dy akuzohen për neglizhencë ndaj fëmijëve dhe vepra të tjera penale.

Gjatë kontrollit në banesë, policia gjeti mbi 90 gramë kokainë, një tjetër armë zjarri të lënë të pasiguruar në një dollap kuzhine, si dhe materiale që lidhen me dyshimet për trafik droge dhe armëmbajtje të paligjshme.

Sanders përballet me gjashtë akuza, mes tyre vrasje të pavullnetshme, rrezikim të mirëqenies së të miturve, trafik droge dhe posedim të paligjshëm të armëve. Ndërsa Miller akuzohet për dy raste të rrezikimit të fëmijëve dhe trafik droge.

Mbrojtja e 22-vjeçares ka deklaruar se ajo nuk kishte dijeni për armët dhe lëndët narkotike në apartament, por dokumentet hetimore tregojnë se më herët ajo kishte pranuar se partneri i saj posedonte një armë.

Të dy ndodhen në paraburgim. Sanders ka një garanci prej 82,500 dollarësh, ndërsa Miller prej 40,000 dollarësh. Seanca e radhës gjyqësore pritet të zhvillohet më 30 nëntor.