Diego Simeone është bërë trajneri me më shumë fitore në historinë e La Ligës, pasi ka kaluar rekordin e Luis Aragonesit.
Atletico Madridi mundi Getafen 3-0 të dielën, duke i dhënë trajnerit argjentinas fitoren e 345-të në 567 ndeshje të kampionatit spanjoll. Aragones kishte arritur 344 fitore, por në 189 paraqitje më shumë.
Të lidhura
None found
“Jam i lumtur. Zakonisht nuk gjej shumë arsye për të qenë i lumtur, por pas kësaj qëndron një punë e jashtëzakonshme”, u shpreh Simeone.
I pyetur për kritikat se Atletico luan në mënyrë tepër mbrojtëse, ai iu referua rezultateve të skuadrës gjatë viteve. “Ky është një kritikim i vazhdueshëm që na bëhet. Nuk i kushtoj shumë rëndësi, por e dëgjoj. Ekziston kjo narrativë se jemi ekip defensiv, sikur luajmë vetëm për t’u mbrojtur. Nuk mund t’i fitosh 345 ndeshje vetëm duke u mbrojtur. A është kjo e mundur?”
Simeone drejton Atletico Madridin që nga dhjetori i vitit 2011 dhe gjatë kësaj periudhe e ka kthyer klubin në një prej skuadrave kryesore të Spanjës dhe Evropës.
Nën drejtimin e tij, klubi ka fituar La Ligën në vitet 2014 dhe 2021, një Kupë të Mbretit, dy Superkupa të Evropës dhe një Ligë të Evropës.
Atletico ka luajtur gjithashtu në dy finale të Ligës së Kampionëve, më 2014 dhe 2016, por në të dyja u mposht nga rivali i qytetit, Real Madridi.
Skuadra është kualifikuar në Ligën e Kampionëve në çdo sezon të plotë me Simeonen në stol. Kontrata e tij aktuale përfundon në fund të këtij sezoni.






