Zhvillime të reja për Jamal Musialan: Bayern Munichu i nis negociatat me përfaqësuesit e lojtarit

Bayerni vazhdon kontaktet me përfaqësuesit e Jamal Musialas, pavarësisht polemikave të fundit publike mes klubit dhe rrethit të futbollistit, raporton SPORT1.
Deklaratat e drejtuesve të klubit bavarez për gjendjen neurologjike të Musialas kanë shkaktuar reagime të shumta. Drejtori Jan-Christian Dreesen, si dhe anëtarët e bordit mbikëqyrës Uli Hoeness dhe Karl-Heinz Rummenigge, kanë shprehur dyshime nëse mesfushori do të mund të rikthehet në nivelin e tij më të mirë dhe të justifikojë kontratën e majme.
Këto komente janë kritikuar ashpër nga ish-futbollisti Stefan Effenberg, i cili e cilësoi komunikimin e klubit si katastrofal. Edhe sindikata ndërkombëtare e futbollistëve, FIFPRO, reagoi duke e përshkruar situatën si një strategji të koordinuar presioni përpara bisedimeve të mundshme.

Situata u bë edhe më shqetësuese pas raportimeve të Bild se Musiala kishte pësuar një rikthim të problemeve të hënën e kaluar, duke përjetuar një tjetër episod të humbjes së vetëdijes, të lidhur me çrregullimin e tij neurologjik.
Megjithatë, sipas SPORT1, klubi dhe këshilltarët e futbollistit kanë vazhduar të jenë në kontakt të rregullt.
Presidenti Herbert Hainer është përpjekur të qetësojë situatën, duke siguruar se Musiala do të marrë gjithë mbështetjen dhe kohën e nevojshme për rikuperim.
Ndërkohë, brenda klubit ka edhe qëndrime të ndryshme, pasi drejtori sportiv Max Eberl ka bërë të ditur se udhëheqja sportive ka një vlerësim tjetër për situatën./Telegrafi/







































