Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar përplasjet brenda Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, duke mohuar se ka ngjashmëri mes dy forcave politike sa i përket luftës së brendshme për pushtet.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatoren Ola Bruko, Salianji deklaroi se në PD ka njerëz që prej 14 vitesh nuk kanë ardhur në pushtet, ndërsa sipas tij, në PS përplasjet lidhen me garën për të fituar mbështetjen e kryeministrit Edi Rama.

Ai u ndal edhe te marrëdhënia mes Ramës dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke akuzuar kryeministrin se ka përdorur pushtetin shtetëror për të eliminuar kundërshtarët e tij politikë. Salianji ngriti pikëpyetje për ndërhyrjen e Ramës në Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të Veliajt, duke theksuar se pushteti vendor është i pavarur.

Sa i përket situatës në PD, Salianji kujtoi lëvizjen e tij për largimin e Sali Berishës nga drejtimi i partisë, duke thënë se edhe pse i janë ofruar funksione të larta, ai ka zgjedhur të kërkojë ndryshimin e lidershipit.

Sipas Salianjit, largimi i Berishës do t’i hapte rrugë edhe largimit të Edi Ramës nga pushteti brenda një muaji. Ai pretendoi gjithashtu se në takimet e tij ka arritur të mbledhë më shumë njerëz se Berisha.

“Rama po përdor fuqinë shtetërore për të eliminuar kundërshtarët e vet, që dalin si ferrë përpara për ushtrimin e funksioneve të veta. Ajo që po thotë sot Veliaj, e kam thënë më parë. Ç’punë ka kryeministri që, kur hyri Veliaj në burg, shkoi dhe hyri në Bashkinë e Tiranës, sikur ta kishte pronë të vetën? Ai shkoi, ndërroi kryetarët. Ç’punë ka kryeministri? Pushteti vendor është i pavarur. Kështu thotë dhe për gjykatat dhe fut njerëz në burg. Natyra njerëzore është lakmitare dhe kërkon pushtet pa fund. Bashkia e Tiranës është pushtet më vete, pjesë e pushtetit lokal, ka këshill bashkiak dhe kryetar më vete. Shkoi ky dhe bëri çfarë donte. Një kryeministër shkon dhe emëron në sy të të gjithëve, duhet të merret i pandehur.

Nuk ka ngjashmëri mes PS dhe PD. Ka njerëz në PD që nuk kanë ardhur në pushtet prej 14 vitesh dhe në PS, për shkak të pushtetit me Ramën, PS është në luftë se kush merr dashurinë e Ramës. Ka një diferencë të madhe mes PD dhe PS. Kam bërë lëvizjen në PD për largimin e Berishës. Më janë ofruar dhe funksione të larta. Ne i zgjasim jetën Edi Ramës, pa i hequr kontributin që ka dhënë Berisha në 36 vite, por ka një kohë që është mjaft, për shkak të mosmbajtjes së premtimeve apo për shkak të mënyrës jo të duhur. Berisha do të duhej të hapte rrugën për t’u larguar Edi Rama. Të largohej Berisha dhe pas një muaji do të largohej Rama. Te PS ka një diferencë. Unë kam mbledhur më shumë njerëz se Berisha, këta nga Facebook-u do i mbushin sallat.” tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: