Rezultatet toksikologjike për këngëtarin grek Giorgos Mazonakis janë dorëzuar te autoritetet mjeko-ligjore, por hetimet për zbardhjen e plotë të shkakut të vdekjes vijojnë.
Analizat, të përfunduara më 23 nëntor, janë kryer mbi mostrat biologjike të marra gjatë autopsisë, në bashkëpunim mes laboratorëve të mjekësisë ligjore në Greqi dhe Universitetit Aristoteli të Selanikut.
Për të përcaktuar shkakun përfundimtar të vdekjes, ekspertët presin ende përgjigjet e ekzaminimeve histologjike. Vetëm pasi të përfundojë edhe kjo fazë, do të hartohet raporti përfundimtar mjeko-ligjor, ku do të analizohen të gjitha gjetjet.
Rasti ka nxitur interes të madh, veçanërisht për shkak të dyshimeve dhe pyetjeve të ngritura gjatë hetimit mbi administrimin e substancave, përfshirë propofolin. Deri tani, rezultatet e analizave toksikologjike nuk kanë dhënë një përgjigje përfundimtare, ndërsa pritet që ekspertiza e plotë të sqarojë rrethanat e vdekjes së këngëtarit.
