Ministri Hoxha takohet në Athinë me homologun grek: Partneritet strategjik, dialog konstruktiv dhe angazhim i përbashkët për të ardhmen europiane
Konferenca e Kryetarëve në Kuvend do të diskutojë nesër, në orën 08:30, kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat parlamentar mbi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2026.
Në kërkesën e saj, PD kërkon që Kuvendi të zhvillojë një debat mbi problematikat e konstatuara në raportin vjetor të Komisionit Evropian, të publikuar më 4 nëntor 2026.
Në dokumentin drejtuar Kuvendit, opozita evidenton disa prej gjetjeve të raportit që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, duke veçuar polarizimin e thellë politik, kontrollin e kufizuar parlamentar mbi ekzekutivin, nevojën urgjente për reformë zgjedhore dhe moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Në dokument theksohet se kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore u refuzuan sistematikisht, pa debat. Po ashtu, ngrihen shqetësime për kontrollin dhe balancën ndërmjet pushteteve, si dhe për barazinë para ligjit.
Një tjetër çështje e evidentuar është politizimi i emërimeve në institucione, përfshirë Avokatin e Popullit dhe Komisionerin, si dhe mungesa e konsensusit ndërmjet partive.
Në raport theksohet nevoja për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, pasi disa rekomandime të mëparshme të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias mbeten ende të paadresuara.
“Komisioni Evropian ka njoftuar zyrtarisht Raportin SËD(2026) 690, datë 4.11.2026, për ecurinë e Shqipërisë në rrugën evropiane për vitin 2026. Për ne, si opozitë parlamentare, ky Raport përbën një plan të mirëfilltë pune që duhet të zbatohet. Për ne procesi i integrimit evropian konsiderohet një proces nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët shqiptarë dhe që përfaqëson një moment historik për demokratizimin e vendit.
Në mënyrë të përmbledhur, Raporti, lidhur me veprimtarinë e Parlamentit, konstaton se:
“Funksionimi i institucioneve demokratike në Shqipëri është pjesërisht i vënë në pikëpyetje, ndër të tjera, për shkak të një mjedisi politik thellësisht të polarizuar, kontrollit të kufizuar parlamentar mbi ekzekutivin, nevojës urgjente për reformë zgjedhore, dështimit të vazhdueshëm të Parlamentit për të zbatuar disa vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe mungesës së konsultimeve publike kuptimplota.
Kontrolli i Parlamentit mbi ekzekutivin mbeti i dobët. Nuk pati debat kuptimplotë për programin e ri qeveritar në shtator 2025. Paraqitjet e ministrave në seancat e pyetjeve ishin të parregullta.
Kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore u refuzuan sistematikisht, pa debat. Pas një vonese të gjatë, Parlamenti votoi kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të një deputeteje. Kjo ngre shqetësime për kontrollin dhe balancën ndërmjet pushteteve, si dhe për barazinë para ligjit.
Shumica vazhdoi të kundërshtojë dhe të vonojë zbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Projektligjet e paraqitura shpesh në çastin e fundit nga deputetët e shumicës dëmtojnë cilësinë dhe transparencën e procesit legjislativ, duke anashkaluar shpesh konsultimin publik.
Politizimi i emërimeve (Avokati i Popullit dhe Komisioneri) mbetet një çështje serioze. Avokati i Popullit u zgjodh vetëm me votat e shumicës, duke cenuar traditën e konsensusit ndërmjet partive.
Komisioni (për Integrimin Evropian) nuk drejtohet më nga opozita, gjë që kufizon dialogun ndërmjet partive dhe rolin e saj në procesin e anëtarësimit.
Komisioni i përbashkët parlamentar për Reformën Administrative dhe Territoriale e përfundoi mandatin në korrik 2026, pa arritur konsensus ndërmjet dy palëve për reformën e hedhur në konsultim publik. Reforma u miratua në tetor 2026, mbi bazën e propozimit të shumicës. Reforma territoriale dhe administrative në vijim, e shoqëruar me një prirje drejt ricentralizimit, krijoi pasiguri për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve konfirmoi gjetjet paraprake. Sipas tij, zgjedhjet e përgjithshme të majit 2025 ishin konkurruese dhe u administruan në mënyrë profesionale, por u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe pa kushte të barabarta për garuesit. Raporti konstatoi gjithashtu se kuadri ligjor ofron një bazë të përshtatshme për zgjedhje demokratike, por disa mangësi dhe paqartësi cenojnë qartësinë ligjore dhe krijojnë pasiguri në zbatimin e tij. Raporti jep rekomandime për adresimin e këtyre mangësive.
Kuadri ligjor dhe institucional për zgjedhjet është përgjithësisht i përshtatshëm. Megjithatë, disa rekomandime të mëparshme të OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias mbeten ende të paadresuara. Nevojitet urgjentisht një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, veçanërisht përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Një komision parlamentar, i ngarkuar me hartimin e reformës zgjedhore, zhvilloi mbledhjen e parë të punës në shkurt 2026. Ky komision garanton përfaqësim të barabartë të partisë në pushtet dhe të partisë kryesore opozitare, por nuk përfshin asnjë nga partitë e tjera opozitare, gjë që është për t’u ardhur keq. Komisioni pritet të hartojë një ligj për financimin e partive politike, pas konsultimeve me palët e interesuara dhe me Komisionin e Venecias. Shqipëria duhet të sigurojë përputhshmërinë me të gjithë legjislacionin përkatës të BE-së në këtë fushë, përfshirë Rregulloren (BE) 2024/900 për transparencën dhe shënjestrimin e reklamave politike, duke marrë parasysh standardet demokratike evropiane dhe ndërkombëtare.”
Nga analiza e gjetjeve të mësipërme, kuptojmë qartësisht se mesazhi i Komisionit Evropian është i qartë: pa llogaridhënie reale dhe pa respektimin e balancës ndërmjet pushteteve, rrugëtimi drejt BE-së mbetet i brishtë.
Ndaj nga sa parashtrohet në mënyrë të përmbledhur më lart, vlerësojmë se është detyra jonë si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, që të shqyrtojmë me përparësi këto problematika dhe të ndërmarrim masa të menjëhershme. Prandaj, duke pasur parasysh sa më sipër, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë mocion për zhvillimin e debatit parlamentar mbi problematikat e konstatuara nga raporti vjetor i Komisionit Evropian për Shqipërinë”, thuhet në shkresën e plotë.
Top Channel