“Jam njeri, jo jashtëtokësor”, politikani amerikan reagon pas videos virale që ndezi teoritë konspirative

Një lëvizje e pazakontë e syve gjatë një konference për shtyp ka bërë që politikani 32-vjeçar Jordan Wright, anëtar i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut nga radhët e demokratëve, të bëhet protagonist i një prej teorive më të çuditshme konspirative në internet. Pas publikimit të një videoje ku ai ngre sytë lart dhe ekspozon kryesisht pjesën e bardhë të tyre, disa përdorues të rrjeteve sociale pretenduan se ai ishte një jashtëtokësor me pamje zvarraniku, i maskuar si njeri.
Ngjarja ndodhi të premten e kaluar, gjatë një konference për shtyp në bashkinë e Nju Jorkut, ku kryebashkiaku Zohran Mamdani prezantonte planin për mbylljen e burgut të Rikers Island. Wright ndodhej mes të pranishmëve dhe u filmua duke buzëqeshur, duke pulitur sytë dhe më pas duke i drejtuar lart. Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në internet, ku disa përdorues komentuan: “Kështu i pulitin sytë hardhucat”, duke e lidhur gjestin me teorinë se zvarranikë jashtëtokësorë jetojnë mes njerëzve në formë njerëzore.
I pyetur nga gazeta New York Post, Wright tha se nuk e dinte saktësisht çfarë kishte ndodhur në momentin e regjistrimit, por hodhi poshtë pretendimet duke deklaruar se është njeri. “Natyrisht që jam qenie njerëzore dhe njerëzillëku im dëshmohet përmes punës sime legjislative, përfshirë 4 milionë dollarët për qendrën e drejtësisë mjedisore WE ACT në Harlem”, u shpreh ai. Më tej shtoi me ironi: “Nuk mund të flas në emër të zvarranikëve apo jashtëtokësorëve”. Nuk ekziston asnjë provë shkencore që mbështet pretendimet e publikuara në rrjetet sociale.
Jordan Wright përfaqëson distriktin e 70-të të Nju Jorkut, që përfshin Manhattanville, një pjesë të Hamilton Heights dhe pjesën më të madhe të Central Harlem. Ai është djali i Keith L. T. Wright, drejtues i organizatës së Partisë Demokratike në Manhattan, dhe u rizgjodh në nëntor pa kundërshtar. Teoria për zvarranikët që marrin pamje njerëzore dhe kontrollojnë qeveritë e institucionet është një prej konspiracioneve të njohura në internet, e përhapur ndër vite edhe përmes letërsisë fantastike dhe pretendimeve të pabazuara për ekzistencën e qenieve jashtëtokësore.




