Ministri Hoxha në Athinë: Zgjerimi i BE-së po ndodh, Shqipëria është plotësisht pjesë e tij

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë sot në diskutimin me Miqtë e Ballkanit Perëndimor, organizuar në Athinë me ftesë të Ministrit të Jashtëm të Greqisë, George Gerapetritis, me fokus ruajtjen dhe forcimin e momentit të ri politik të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Gjatë diskutimit, Ministri Hoxha theksoi rëndësinë strategjike që ka marrë zgjerimi në kontekstin aktual evropian, duke nënvizuar se ai nuk mund të shihet më vetëm si një proces konvergjence mes vendeve kandidate dhe Bashkimit Evropian.
“Zgjerimi nuk është më thjesht një politikë konvergjence. Ai është një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe fuqinë e Evropës”, u shpreh Ministri Hoxha.
Duke iu referuar ecurisë së procesit të integrimit evropian, Ministri vuri në dukje ndryshimin e rëndësishëm që ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit, pas një periudhe të gjatë pritjeje që nga Samiti i Selanikut i vitit 2003.
“Për shumë vite, plot 23 vjet që nga Selaniku, për zgjerimin është folur kryesisht në kohën e ardhme. Dy vitet e fundit e kanë ndryshuar këtë. Sot, më në fund, për zgjerimin flitet në kohën e tashme. Zgjerimi po ndodh dhe Shqipëria është plotësisht pjesë e tij”, deklaroi ai.
Në këtë kontekst, Hoxha riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar reformat, për të ruajtur ritmin e negociatave dhe për ta përkthyer momentin politik në rezultate konkrete në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Një vëmendje të veçantë Ministri i kushtoi besueshmërisë së procesit të zgjerimit dhe përgjegjësisë së ndërsjellë të vendeve kandidate dhe Bashkimit Evropian për të ruajtur dinamikën aktuale.
“Besueshmëria është motori i zgjerimit dhe funksionon në të dyja drejtimet: vendet kandidate duhet të sjellin rezultate përmes reformave, ndërsa Bashkimi Evropian duhet t’i përgjigjet me rezultate progresit të arritur”, theksoi Ministri Hoxha, duke shtuar se një perspektivë evropiane e besueshme përshpejton reformat, ndërsa dobësimi i saj rrezikon të ngadalësojë procesin.
Në përfundim, Ministri Hoxha nënvizoi se ruajtja e momentit aktual të zgjerimit kërkon angazhim të vazhdueshëm, vendimmarrje dhe rezultate nga të dyja palët.
“Një Evropë më e fortë ka nevojë për zgjerimin. Dhe zgjerimi ka nevojë për besueshmëri, kurajë dhe rezultate”, përfundoi ai.
Ministri Hoxha falënderoi homologun grek, George Gerapetritis, për mikpritjen, mirëkuptimin dhe mbështetjen, si dhe për mundësinë e shkëmbimit të pikëpamjeve mbi të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.









