Vendosni fjalën kyçe....

Salianji akuzon Berishën: Në 90% të bashkive PD nuk gjen kandidatë, opozita rrezikon të dalë forcë e tretë


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka hedhur akuza ndaj Sali Berishës për mënyrën se si opozita po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke pretenduar se në 90% të bashkive PD nuk arrin të gjejë kandidatë që pranojnë të garojnë nën siglën e saj.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatoren Ola Bruko, Salianji tha se demokratët janë të papërfaqësuar, ndërsa një grup njerëzish të privilegjuar, për shkak të interesave personale dhe funksioneve që mbajnë, nuk shqetësohen për bazën e partisë.

Sipas tij, Berisha mund të përdorë kandidatë nga protestat ose figura të pavarura, një strategji që, siç pretendoi, është ndjekur edhe më parë në pesë bashki. Salianji e cilësoi këtë si një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë për humbjet zgjedhore dhe për të ruajtur kontrollin politik mbi opozitën.

Ai paralajmëroi se opozita rrezikon të garojë me disa kandidatë dhe të përfundojë si forcë e tretë.

“Më e goditur se është PD, s’ka më. Aty ka disa të privilegjuar, që për shkak të një rroge, nuk duan t’ia dinë për demokratët. Demokratët janë të papërfaqësuar. Ata mbajnë kostot e dhunës, të përjashtimeve dhe largimeve nga vendi. E dini ju se Berisha nuk gjen dot kandidatë? Në 90% të bashkive nuk gjen dot kandidatë. Nuk ka procese, bëj letra kot. Në 90% të bashkive nuk merr përsipër të kandidojë njeri për PD-në, për shkak të Berishës. Ai po bën cirk. Hileja është kjo: meqë nuk ka kandidatë dhe s’do të marrë kosto, ai do të marrë dhe të përdorë kandidatë nga protesta, apo kandidatë të pavarur, siç përdori në pesë bashki dhe morën pak vota. Do të marrë kandidatë nga sinorë të tjerë që të thotë: “Jam garancia për opozitën”, po humbën”, deklaroi Salianji.