Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri” shënon 120-vjetorin e themelimit, duke mbartur një histori të gjatë kontributesh në çështjen kombëtare, në ruajtjen e identitetit shqiptar dhe në promovimin e vlerave kulturore e atdhetare.
E themeluar në vitin 1906, në një periudhë vendimtare për historinë e Shqipërisë, shoqata u bë pjesë e përpjekjeve të rilindësve dhe patriotëve shqiptarë për bashkimin kombëtar, zhvillimin e arsimit dhe përgatitjen e rrugës drejt pavarësisë. Në 120-vjetorin e saj, kryetari Engjëll Musai vlerëson se “Tomorri” përfaqëson një trashëgimi që duhet ruajtur dhe përcjellë te brezat e rinj.
Gjatë një interviste në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Musai theksoi rëndësinë e figurave historike që kontribuuan për Shqipërinë, duke nënvizuar se veprat dhe sakrificat e tyre nuk duhet të harrohen.
“Shoqata është gur ku është mpiksur gjaku i dëshmorëve të atdheut, që shërbeu si shtyllë të mëmëdheut, ndër të cilët janë edhe martirët e diturisë. Ka shumë fjalë, ndërhyrje, inate dhe mllefe që duan të harrojnë rolin e rilindësve tanë kombëtarë, rolin e atyre që luftuan për pavarësinë dhe çlirimin, që ndërtuan vendin, vepra të rëndësishme të këtij vendi si spitale, shkolla, ura e ndërtesa. Duhet të mendojmë për ata që padrejtësisht u ndëshkuan gjatë asaj periudhe. I vetmi sektor që mund të bëjë këtë bashkim janë vetëm shoqatat tona”, u shpreh Musai.
Ai vuri në dukje se misioni i shoqatës nuk lidhet vetëm me përkujtimin e historisë, por edhe me forcimin e bashkëpunimit mes shqiptarëve, përtej ndasive politike, krahinore apo ideologjike. Sipas tij, shoqatat atdhetare kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës kombëtare dhe në përcjelljen e vlerave që kanë bashkuar shqiptarët ndër vite.
“Tomorri” vijon edhe sot veprimtarinë e saj në disa qytete të vendit, duke zgjeruar rrjetin e degëve dhe duke nxitur pjesëmarrjen në aktivitete kulturore, atdhetare dhe shoqërore. Musai përmendi shtrirjen e saj në Berat, Kuçovë, Poliçan, Çorovodë, Lushnjë, Vlorë, Sarandë, Cërrik, Pogradec, Kolonjë, Durrës dhe Tiranë.
Në përfundim, kryetari i shoqatës përcolli një mesazh bashkimi, duke theksuar se interesi kombëtar duhet të jetë mbi çdo ndarje dhe bindje personale.
“Të gjithë duhet të bashkohemi pa dallim bindjesh krahinore e idesh, t’i shërbejmë interesit tonë kombëtar”, deklaroi Engjëll Musai.
120-vjetori shërben kështu jo vetëm si një përvjetor historik, por edhe si një mundësi për të vlerësuar kontributin e brezave që i dhanë jetë kësaj shoqate dhe për të rikujtuar misionin e saj në ruajtjen e identitetit, traditave dhe vlerave kombëtare shqiptare.
