
Selami Hasani, i njohur edhe me nofkën “Sel Çami” u vra këtë të hënë në oborrin e banesës së tij. Ai është një emër i njohur për drejtësinë. 60-vjeçari rezulton i dënuar me 25 vite burg për vrasjen në 25 mars të vitit 2002. Në atë kohë në qendër të Fierit, pranë zonës së njohur si “Sheshi i Valutës”, mbetën të vrarë kambisti Esat Tare dhe Julian Isufaj, nipi i Arben Isufajt, Ben Qimes.
Ngjarja u lidh me hasmërinë e hershme mes familjeve Hasani dhe Isufaj, një konflikt që ndër vite është shoqëruar me episode të rënda kriminale. Në vitin 1994, Enver Isufaj, babai i Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, u vra në një bilardo në zonën e Sheqit në Fier. Sipas vendimeve gjyqësore, në këtë vrasje morën pjesë Pëllumb Yzeiraj dhe Vladimir Hasani, vëllai i Selami Hasanit.
Saga e vrasjeve vijoi në vitin 2002 me vrasjen e Julian Isufajt nga Selami Hasani. Sel Çami u arrestua më 12 gusht 2009 nga forcat speciale RENEA. Pas arrestimit, Hasani ai u përball me drejtësinë për ngjarjen e rëndë të vitit 2002, për të cilën u dënua me 25 vite burg. Ai po qëndronte në burgun e Fushë-Krujës, ndërsa nga qelia u lirua 3 javë më parë në 3 nëntor 2026. Për momentin, pista e hakmarrjes mbetet një nga dyshimet e hetuesve, por motivi i ekzekutimit nuk është konfirmuar ende zyrtarisht
