Lehtësohen procedurat për profesionistët e shëndetësisë, Spahiu: Zgjerohen mundësitë e praktikës dhe punësimit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka njoftuar një sërë lehtësish për studentët dhe profesionistët e rinj të shëndetësisë, duke theksuar se eliminimi i provimit të ndërmjetëm pas praktikës profesionale është vetëm hapi i parë në përmirësimin e rrugëtimit të tyre drejt profesionit.
Në një takim me studentë të Fakultetit të Infermierisë, ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, rektorin e Universitetit të Mjekësisë dhe përfaqësues të këtij institucioni, Spahiu u shpreh se ndryshimet në rregulloren e praktikës profesionale synojnë të ulin pengesat administrative dhe të forcojnë përgatitjen teorike e praktike të studentëve.
Sipas saj, pas përfundimit të praktikës profesionale, studentët do të mund të hyjnë menjëherë në Provimin e Shtetit, pa kaluar më në një hallkë shtesë vlerësimi. Ajo theksoi gjithashtu se po punohet për zgjerimin e mundësive të praktikës në spitalet universitare, rritjen e kuotave të specializimit të financuara nga shteti dhe krijimin e më shumë mundësive të punësimit në qytetet ku jetojnë profesionistët e rinj.
Edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cilësoi ndryshimin si një përgjigje ndaj kërkesave të vetë studentëve, duke theksuar se me një urdhër të përbashkët të dy ministrive është hequr provimi i ndërmjetëm për të lehtësuar procedurat burokratike dhe hyrjen në tregun e punës.
Një tjetër prioritet i përbashkët i dy ministrive mbetet rritja e numrit të kuotave të specializimit për mjekët e rinj, me synim forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor dhe plotësimin e nevojave për personel në vend.
Nga ndryshimet e reja do të përfitojnë mjekët, stomatologët, farmacistët, infermierët, mamitë dhe profesionistë të tjerë të shëndetësisë, të cilët pas praktikës profesionale do të vijojnë drejtpërdrejt me Provimin e Shtetit. Përfitues do të jenë edhe kandidatët që e kanë përfunduar praktikën më herët, por kanë mbetur në pritje të procedurave të vlerësimit, falë dispozitave kalimtare të parashikuara në rregullat e reja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




