Një ambient nëntokësor me hyrje të kamufluar, i përshtatur për kultivimin e kanabisit me llamba dhe për përpunimin e lëndës narkotike, është zbuluar nga Policia e Shkodrës në kuadër të operacionit të koduar “Labirinti”.
Në këtë ambient u konstatuan dhe u arrestuan në flagrancë 10 persona: Dorjana Kovaçi, 36 vjeçe, dhe Migena Perçi 38 vjeçe, të dyja banuese në Gjirokastër; Agim Kovaçi 61 vjeç, Endrit Kovaçi, 41 vjeç, dhe Ronaldo Dule, 28 vjeç, banues në Cërrik; Arben Guri 37 vjeç, banues në Tiranë; Artur Lika, 46 vjeç, banues në Poliçan; Fatmir Luka, 18 vjeç, dhe Anton Toli, 30 vjeç, banues në Ishull-Lezhë; si dhe Ervin Toli, 25 vjeç, banues në Mirditë.
Gjatë kontrollit në një magazinë, policia zbuloi një hyrje të kamufluar që të çonte në një ambient nëntokësor, i cili ishte ndarë në dy pjesë.
Njëra prej tyre ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ndërsa pjesa tjetër përdorej për përpunimin e kanabisit.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 2 600 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo, si dhe 170 kilogramë lëndë narkotike e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.
Nga verifikimet policore rezultoi se njëri prej të arrestuarve, 46-vjeçari A. L., ishte shpallur më parë në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.














