Ekzekutimi i Sel Çamit në Fier, tre persona të shoqëruar në Polici

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 23.11.2026, 16:21

Tre persona janë shoqëruar deri më tani në ambientet e Policisë, në kuadër të hetimeve për atentatin e rëndë që tronditi Fierin, ku mbeti i vrarë Selami Hasani, i njohur në zonë edhe me nofkën “Sel Çami”. Ngjarja ndodhi në oborrin e banesës së tij, ku autorët qëlluan me armë zjarri edhe ndaj nipit të viktimës, i cili mbeti i plagosur rëndë.

Pavarësisht veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente, autorët e atentatit vijojnë të jenë të paidentifikuar dhe në kërkim. Një nga pistat që po verifikohet lidhet me lëvizjet e automjeteve në zonë. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, të administruara deri më tani nga grupi hetimor, është konstatuar prania e një automjeti tip “Volvo”, por ende nuk janë siguruar pamje që të dokumentojnë qartë autorët apo itinerarin e tyre para dhe pas sulmit.

Nga informacionet e deritanishme béhet e ditur se Selami Hasani është qëlluar me shtatë plumba, ndërsa nipi i tij ka marrë tre plumba, dy në zonën e barkut dhe një në nofull. Hasani, i cili është përmendur më herët si hasëm i Arben Isufajt, i njohur ndryshe si “Ben Qimja”, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.

Atentati ndodhi paraditen e së hënës, në momentin kur Hasani ndodhej duke punuar në oborrin e banesës. Autorët e kanë qëlluar me breshëri armësh, duke e kthyer oborrin e shtëpisë në vendin e një krimi të rëndë.

Në vendngjarje, ekspertët kriminalistë kanë sekuestruar dhjetë gëzhoja, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të ndihmuar në identifikimin e armëve të përdorura. Ndërkohë, në automjetin e djegur, që dyshohet se është përdorur nga autorët për t’u larguar pas atentatit, janë gjetur edhe dy armë.

Grupi hetimor po analizon provat e mbledhura, pamjet filmike dhe dëshmitë e mundshme, me qëllim rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë në ekzekutimin e Selami Hasanit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit