Gjykata e Apelit e Kosovës la në fuqi dënimet me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe dënimin me 30 vjet burgim ndaj Kushtrim Kokallës, për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.
Vendimi i marrë më 23 nëntor vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 21 prillit 2026, me të cilin të tre të akuzuarit ishin shpallur fajtorë.
Kolegji i Gjykatës së Apelit përbëhej nga gjyqtarët: Mentor Hajra, kryetar, Xhevdet Abazi, gjyqtar raportues, dhe Arben Hoti, anëtar.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në një rast që fillimisht ishte paraqitur si grabitje, por që, sipas gjetjeve të Gjykatës Themelore, ishte planifikuar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Si u planifikua vrasja e Liridona Ademajt?
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Naim Murseli kishte organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të marrëdhënieve të përkeqësuara martesore dhe dëshirës për hakmarrje.
Gjykata kishte konstatuar se ai synonte edhe përfitim financiar nga një policë e sigurimit të jetës në emër të viktimës, në vlerë prej tre milionë kronash suedeze.
Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla ishin marrë vesh paraprakisht për kryerjen e vrasjes, ndërsa Murseli i kishte premtuar Plavës 30 mijë euro për ta kryer atë.
Prokuroria kishte pretenduar, gjithashtu, se Murseli e kishte siguruar armën e përdorur në vrasje duke e blerë për 280 euro nga Tom Dodaj.
Dodaj, i cili kishte pranuar fajësinë për shitjen e armës, ishte dënuar fillimisht me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Në dhjetor të vitit 2025, Gjykata e Apelit ia kishte ulur dënimin në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.
Aktakuza u ngrit më 15 janar 2025, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli aktgjykimin më 21 prill 2026.
Vrasjet e grave që tronditën Kosovën dhe nxitën protesta
Rasti i Liridona Ademajt, nënë e dy fëmijëve të mitur, është një ndër vrasjet e grave që kanë nxitur protesta dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale në Kosovë.
Vetëm gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, në Kosovë u vranë tetë gra, kryesisht nga bashkëshortët, partnerët ose familjarët e tyre, sipas të dhënave të siguruara nga Radio Evropa e Lirë.

Vrasja e fundit e regjistruar në këtë periudhë ishte ajo e Arlinda Zekajt, më 25 tetor, në Vitomiricë të Pejës.
Zekaj, nënë e një djali të mitur, dyshohet se u vra nga kunati i saj, pak minuta pasi ishte kthyer në shtëpi, e shoqëruar nga policia.
Zekaj kishte raportuar vazhdimisht dhunë në familje.
Vetëm tri ditë para vrasjes, ajo i ishte ankuar kryeprokurores së Pejës për mënyrën se si institucionet po e trajtonin rastin e saj, duke paralajmëruar se jeta i rrezikohej.
Vrasja nxiti protesta në Prishtinë, ku u kërkua drejtësi për viktimën dhe përgjegjësi nga institucionet që kishin trajtuar denoncimet e saj.
Rasti nxiti edhe reagimin e Kuvendit të Kosovës, i cili kërkoi hetim të përgjegjësisë institucionale dhe rishikim urgjent të rasteve të dhunës në familje me rrezikshmëri të lartë./REL
© SYRI.net
Burgim i përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, Apeli vërteton dënimet për vrasjen e Liridona Ademajt
Konjufca kërkon nga BE-ja hapa konkretë për anëtarësimin e Kosovës
Ligji për Dhomat e Specializuara në Hagë, Kurti: Jemi në pritje që ekspertët të mbyllin draftin e ri gjatë kësaj jave