Konjufca në Athinë kërkon nga Greqia njohjen e pavarësisë së Kosovës

23 Nëntor 2026 | 16:28

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, të hënën është takuar në Athinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis, të cilit ia ka përcjellë kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Konjufca ka vlerësuar se njohja e Kosovës nga Greqia do të përbënte një hap të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, por edhe për fqinjësinë e mirë dhe stabilitetin në rajon.

“Njohja e Republikës së Kosovës nga Greqia do të ishte një hap me peshë për marrëdhëniet tona dhe për fqinjësinë e mirë në rajon. Këtë bindje e ndava me ministrin Gerapetritis, bashkë me ftesën që bisedën e radhës ta vazhdojmë në Kosovë”, ka shkruar Konjufca.

Ai ka veçuar edhe përkrahjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar atë si një prej hapave konkretë që kanë ndikuar në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

“E çmojmë këtë përkrahje dhe duam që bashkëpunimi mes Kosovës dhe Greqisë të marrë edhe më shumë hov përmes dialogut politik më të rregullt e lidhjeve më të forta ekonomike”.

Pse Greqia ende nuk e njeh Kosovën?

Greqia është njëra nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, krahas Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Qipros.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Greqia ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm ndaj statusit të Kosovës, duke mos e njohur atë formalisht, por duke zhvilluar njëkohësisht marrëdhënie politike dhe ekonomike me Kosovën.

Në qëndrimin e saj zyrtar, Ministria e Jashtme greke thekson se mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe integrimin evropian dhe euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Greqia gjithashtu ka mbështetur liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe merr pjesë në misionet ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in.

Megjithatë, Greqia vazhdon të mbajë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, duke e lidhur politikën e saj me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.

Në analizat mbi mosnjohjen greke përmenden edhe marrëdhëniet tradicionale me Serbinë dhe solidariteti me Qipron, e cila gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në qershor të këtij viti, Gerapetritis kishte deklaruar se qëndrimi i Greqisë ndaj statusit të Kosovës mbetet i pandryshuar.  Pavarësisht mungesës së njohjes, Greqia mban Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë, ndërsa Kosova ka Zyrën e Interesave në Athinë, e cila nuk ka status diplomatik.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Burgim i përjetshëm për Murselin dhe Plavën, Apeli vërteton dënimet për vrasjen e Liridona Ademajt

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar dënimet me burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe Granit Plavës, si dhe dënimin prej 30 vjetësh burgim...
15:45 | 23/11/2026

27 vjet nga vizita historike e Bill Clintonit në Kosovë

Më 23 nëntor 1999, vetëm disa muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë, presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, vizitoi...
15:16 | 23/11/2026

Konjufca nga Athina i bën thirrje BE-së që të nisë vlerësimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca ka kërkuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian që t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e...
14:25 | 23/11/2026