Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, deklaroi në Athinë se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ka hyrë në një fazë të re, duke theksuar se Shqipëria është pjesë e këtij momenti politik.
Hoxha mori pjesë në diskutimin e organizuar me grupin e Miqve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis. Në qendër të takimit ishte ruajtja e dinamikës së re të zgjerimit të BE-së dhe përshpejtimi i integrimit të vendeve të rajonit.
Gjatë fjalës së tij, ministri shqiptar theksoi se zgjerimi nuk duhet parë më thjesht si një proces përafrimi mes vendeve kandidate dhe Bashkimit Evropian, por si një çështje me rëndësi strategjike për të ardhmen e kontinentit.
“Zgjerimi nuk është më thjesht një politikë konvergjence. Ai është një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe fuqinë e Evropës”, u shpreh Hoxha.
Duke iu referuar ecurisë së procesit, ai kujtoi se për më shumë se dy dekada, që nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, integrimi i Ballkanit Perëndimor është diskutuar kryesisht si një objektiv i së ardhmes. Sipas tij, zhvillimet e dy viteve të fundit kanë sjellë një ndryshim të rëndësishëm në këtë drejtim.
“Për shumë vite, plot 23 vjet që nga Selaniku, për zgjerimin është folur kryesisht në kohën e ardhme. Dy vitet e fundit e kanë ndryshuar këtë. Sot, më në fund, për zgjerimin flitet në kohën e tashme. Zgjerimi po ndodh dhe Shqipëria është plotësisht pjesë e tij”, deklaroi ministri.
Hoxha riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar reformat dhe për të ruajtur ritmin e negociatave të anëtarësimit, duke theksuar se momenti aktual politik duhet të shoqërohet me rezultate konkrete.
Një pjesë të diskutimit ai ia kushtoi edhe besueshmërisë së procesit, duke nënvizuar se përgjegjësia për përparimin e zgjerimit u takon si vendeve kandidate, ashtu edhe institucioneve të Bashkimit Evropian.
“Besueshmëria është motori i zgjerimit dhe funksionon në të dyja drejtimet: vendet kandidate duhet të sjellin rezultate përmes reformave, ndërsa Bashkimi Evropian duhet t’i përgjigjet me rezultate progresit të arritur”, theksoi Hoxha.
Sipas tij, një perspektivë e besueshme e anëtarësimit nxit reformat në vendet kandidate, ndërsa dobësimi i saj mund të frenojë procesin. Në përfundim, ministri theksoi se për të ruajtur ritmin e zgjerimit nevojiten angazhim i vazhdueshëm, vendimmarrje dhe rezultate nga të dyja palët.
“Një Evropë më e fortë ka nevojë për zgjerimin. Dhe zgjerimi ka nevojë për besueshmëri, kurajë dhe rezultate”, përfundoi ai.
Hoxha falënderoi homologun grek për mikpritjen dhe mbështetjen, si dhe për organizimin e diskutimit mbi perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.


