Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme në infrastrukturën rrugore në disa zona rurale të Kukësit, ku rënia e gurëve dhe inerteve në rrugë ka penguar lëvizjen e banorëve dhe automjeteve.
Gjatë ditës së sotme, të bllokuara kanë qenë fshatrat Grykë-Çajë, Fshat, Shkinak, Arrën dhe Surroj. Pas ndërhyrjes së Bashkisë Kukës, në mesditë u bë i mundur pastrimi i akseve nga gurët dhe normalizimi i qarkullimit.
Megjithatë, problematika vijon në disa fshatra të thellë, mes tyre Oreshka, Cernaleva, Orgjosti, Belja, Lojmja, Nimça, Xhaferaj dhe Turaj, ku depozitimi i inerteve në rrugë vijon të pengojë kalimin.
Situata është krijuar si pasojë e reshjeve intensive, ndërsa drejtuesve të automjeteve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në akset malore.
