Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndërmarrë hapa konkretë për shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në union.
Kërkesa u bë gjatë pjesëmarrjes së tij në takimin ministror të grupit “Friends of the Western Balkans”, i zhvilluar këtë të hënë në Athinë, me ftesë të ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Konjufca bëri të ditur se i ka kërkuar Këshillit të Bashkimit Evropian që t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
Sipas tij, kanë kaluar gati katër vjet nga dorëzimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim dhe Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë vlerësimin përkatës.
Kryediplomati kosovar theksoi se procesi i zgjerimit të BE-së duhet t’u japë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor mundësi të barabarta për të përparuar, bazuar në meritat dhe reformat e realizuara.
Ai gjithashtu nënvizoi se Kosova është plotësisht e harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe shprehu gatishmërinë e vendit për të kontribuar në misionet dhe operacionet e Bashkimit Evropian.
Takimi në Athinë u organizua nga ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, ndërsa në fokus të diskutimeve ishte procesi i zgjerimit të BE-së dhe integrimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor.













