6 muaj përpara zgjedhjeve lokale, partitë politike ende nuk i kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre për 9 majin.
Megjithatë, sipas Euronews, në kampin rozë përfliten disa emra si kandidatura të mundshme.
Ministri i Brendshëm Ervin Demo, zv.kryeministrja Albana Kociu dhe drejtuesja politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu, janë figurat politike që mund të garojnë për bashkinë e Tiranës.
Të njëjtat burime raportojnë se në 3 bashkitë e tjera të qarkut, pritet rikandidimi i Rakip Sulit në Kamëz, i Blerim Sherës në Vorë, ndërsa në Kavajë emri që përflitet është ai i drejtorit të spitalit, Arben Rugia.
Me hartën e re territoriale, Bashkia e Elbasanit do të jetë më e madhe, duke përfshirë edhe Belshin e Cërrikun. Pritet që mazhoranca të shkojë me kandidaturën e ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, në këtë bashki.
Ndërsa në Bashkinë e Durrësit një nga emrat që përflitet për të garuar është ai i deputetit të qarkut, Ani Dyrmishi.
Megjithatë, deri më tani nuk ka ende një konfirmim zyrtar të kandidatëve.














