I ftuar në një lidhje Skype në Syri TV, Sekretari i Infrastrukturës në PD, Gent Kaprata, deklaroi se Edi Rama prej 13 vitesh e ka përdorur zhvillimin urban si instrument politik, duke marrë kompetencat e pushtetit vendor dhe duke përqendruar në duart e tij edhe lejet e ndërtimit.
Kaprata tha se sa herë që kryeministri është gjendur në vështirësi apo në prag zgjedhjesh, ka rikthyer në vëmendje ndërtimet informale dhe ndërhyrjet në hapësirat publike.
Ai theksoi se tashmë Rama po synon ta kthejë strehimin dhe një program të ri kombëtar në shtyllën kryesore të qeverisjes dhe të strategjisë së tij për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Pjesë nga intervista:
Ky është fundi i një historie që ka nisur 13 vjet më parë, sipas së cilës zoti Rama gjithë filozofinë e qeverisjes së vet e ka vendosur, mbështetur si shtyllë kryesore atë të zhvillimit urban. Nëse i hyjmë gjithë projekteve kryesore që ka zhvilluar deri vonë dhe vazhdon t’i zhvillojë, ato në thelb janë pushtet ose aktivitet i qeverisjes vendore, i tërhequr ose i marrë nga qeveria qendrore. Biles, edhe lejet e ndërtimit, e kemi thënë disa herë, qeveria Rama i mori nga Bashkia e Tiranës drejt qeverisë qendrore dhe i jep ai vetë.
Imagjinoni, 13 vjet deri më sot, qeveria Rama, sa herë gjendej në vështirësi ose sa herë i afroheshin zgjedhjet, që për të ishte vështirësi, i kthehej ndërtimeve informale, ndërhyrjeve jo dhe aq estetike për syrin e zotit Rama. Dhe shikoni historinë, gjatë gjithë historisë 13-vjeçare këtë punë ka bërë. Ka ngritur si çështje kryesore të qeverisjes së vet, si aks kryesor, ndërtimet informale ose ndërhyrjet në sipërfaqe, hapësira publike, ndjesitë ose ngacmimet e ndjesisë shoqërore mbi mjediset shoqërore.
Mirëpo, çfarë ka ndodhur këtë herë? Ndryshe nga herët e tjera, i ka ardhur kjo ideja e madhe për një program të ri kombëtar. Dhe më duket se kjo do të jetë shtylla, filozofia e zotit Rama dhe qeverisë së tij në zgjedhjet lokale dhe në vazhdimësi. Duket se strehimi do të jetë shtylla kryesore e tij.
© SYRI.net
PD Shkodër diskuton kandidaturat për Bashkinë, Çylybyli: Takime në çdo seksion dhe lagje
Thirrja e Berishës për bashkim, Hoxhaj: Duhet unifikim, unitet opozitar në të gjithë Shqipërinë për të dhënë rezultate
Lufta e dronëve mes Adriatikut e Libisë/ Tirana nën dyshime, Italia blindon Kanalin e Siçilisë