Pretendonte se komunikonte me të edhe pas vdekjes, ndërron jetë në moshën 71-vjeçare shëruesja shpirtërore e Princeshë Dianës

23/11/2026 17:28

Simone Simmons, shëruesja shpirtërore dhe një nga mikeshat e besuara të Princeshë Dianës, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare, pas një periudhe të gjatë sëmundjeje.

Simmons, e njohur për miqësinë e ngushtë me princeshën e ndjerë të Uellsit, u bë më vonë pjesë e vëmendjes mediatike për pretendimet e saj të bujshme mbi jetën private të Dianës, përfshirë edhe pohimin se ajo kishte pasur një lidhje dashurie me John F. Kennedy Jr., djalin e ish-presidentit amerikan.

Sipas deklaratës së përfaqësuesit të saj, Simmons ndërroi jetë më 15 nëntor, pas një periudhe të gjatë me probleme shëndetësore.

“Është me trishtim të madh që njoftojmë ndarjen nga jeta të Simone Simmons. Ajo do të mbahet mend veçanërisht për miqësinë e saj të ngushtë me Dianën, Princeshën e Uellsit, për të cilën u bë një person i besuar, duke i ofruar mbështetje dhe udhëzime shpirtërore gjatë disa prej viteve më të vështira të jetës së saj”, thuhej në deklaratë.

Ai shtoi se miqësia e veçantë me Dianën ishte një pjesë e çmuar e jetës së Simmons, e cila do të kujtohet për besimin, ngrohtësinë dhe bujarinë e saj.

E lindur në tetor të vitit 1955, Simmons ishte vajza e një prodhuesi veshjesh në lindje të Londrës. Ajo ndoqi shkollën Hendon County në veri të kryeqytetit britanik dhe më pas punoi si infermiere, përpara se të përqendrohej te mjekësia holistike dhe praktikat alternative të shërimit.

Ajo u njoh me Dianën në vitin 1993, ndërsa punonte si shëruese shpirtërore në klinikën Hale në Londër. Princesha ishte një vizitore e rregullt e klinikës dhe nisi të merrte pjesë në seancat e saj të shërimit energjetik.

Sipas përfaqësuesit të Simmons, mes tyre u krijua shpejt një lidhje e fortë, ndërsa ajo kalonte shpesh kohë në Pallatin Kensington, së bashku me Dianën dhe dy djemtë e saj, princat William dhe Harry. Ajo e mbështeti princeshën gjatë periudhave më të vështira të jetës së saj, përfshirë krizën martesore dhe divorcin nga Charles, tashmë mbreti i Mbretërisë së Bashkuar.

Në hetimin gjyqësor për vdekjen e Dianës, në vitin 2008, Simmons tregoi se ato ndonjëherë kalonin deri në 10 orë duke folur në telefon. Ajo pretendonte se i kishte mësuar princeshës praktika alternative për korrigjimin e çekuilibrave në fushën elektromagnetike të trupit dhe se kishte pastruar apartamentet e saj në Pallatin Kensington nga ajo që e quante “energji negative”.

Pas vdekjes së princeshës në aksidentin automobilistik në Paris, në vitin 1997, Simmons pretendoi se kishte arritur të komunikonte me të edhe përtej vdekjes. Ajo u bë gjithashtu një figurë e diskutuar pas publikimit të dy librave të saj, “Diana: The Secret Years”, në vitin 1999, dhe “Diana: The Last Word”, në vitin 2005.

Në librin e dytë, Simmons pretendoi se Diana kishte pasur një lidhje pasionante me John F. Kennedy Jr., ndërsa shkroi gjithashtu se princesha kishte provuar kokainën, por ishte shqetësuar se droga mund ta vriste.

Një tjetër pretendim i saj lidhej me një letër që Diana thuhet se i kishte shkruar pas një incidenti me frenat e makinës në vitin 1995.

Gjatë hetimit policor Operation Paget, në vitin 2006, Simmons deklaroi se princesha i kishte shkruar se frenat e automjetit të saj ishin sabotuar dhe se, nëse do t’i ndodhte diçka, përgjegjës mund të ishin shërbimet sekrete britanike MI5 ose MI6.

Këto ishin pretendime të Simmons dhe nuk përbënin prova të konfirmuara për një komplot ndaj Dianës. Ajo bëri bujë sërish në vitin 2018, kur, pas martesës së princit Harry me Meghan Markle, deklaroi në një televizion amerikan se Diana kishte komunikuar me të nga përtej varrit dhe nuk ishte e lumtur për martesën, pasi mendonte se ajo mund të përfundonte në katastrofë.

Në intervista të mëvonshme, Simmons pretendoi gjithashtu se Diana nuk kishte dashur kurrë të divorcohej nga Charles dhe se vazhdonte ta dashuronte atë. Simmons dha dëshmi edhe për hetimin mbi vdekjen e Dianës, duke ndarë me autoritetet detaje nga miqësia e tyre.

Ajo pretendoi se Princi Philip i kishte dërguar Dianës letra fyese dhe mizore, pretendim që Duka i Edinburgut e kishte mohuar me forcë. Përveç miqësisë me princeshën, Simmons ndante me të edhe angazhimin kundër minave tokësore. Ajo kishte vizituar Bosnjën me një mike nga Kryqi i Kuq, në vijim të fushatës që Diana kishte mbështetur pak para vdekjes së saj.

Sipas Simmons, interesimi i princeshës për këtë çështje ishte nxitur edhe nga informacionet që ajo vetë i kishte dhënë në vitin 1996. Marrëdhënia mes tyre nuk kishte qenë gjithmonë e qetë. Ato ishin konfliktuar disa herë dhe nuk komunikonin në momentin kur Diana humbi jetën në aksidentin në Paris. Megjithatë, Simmons besonte se me kalimin e kohës do të ishin pajtuar.

Pas vdekjes së princeshës, ajo tha se kishte djegur të gjitha materialet dhe dokumentet konfidenciale që Diana i kishte besuar.

Simmons përshkruhej nga njerëzit që e njihnin si një grua të ngrohtë, të dhembshur dhe me karakter të fortë. Ajo ishte gjithashtu një aktiviste kundër antisemitizmit, ndërsa besimi hebraik dhe bindjet e saj shpirtërore zinin një vend të rëndësishëm në jetën e saj.

Një tjetër pasion i saj ishin macet. Ajo kishte dy mace, Star dhe Gus, ndërsa kjo e fundit ishte adoptuar përmes një organizate për shpëtimin e kafshëve.

“Simone kishte një mirëkuptim të veçantë me shoqëruesit e saj me katër putra dhe shpesh fliste për personalitetet dhe mënyrat e tyre individuale të komunikimit”, thuhej në deklaratën e përfaqësuesit të saj.

Top Channel