Kremlini paralajmëron për përshkallëzim në Detin Baltik, Peskov: Sulmet e Ukrainës po rrisin tensionet

Europë | 1 minutë më parë

Kremlini ka paralajmëruar për një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve në Detin Baltik, pasi një anije mallrash ruse u shënjestrua nga një dron, në një sulm që sipas autoriteteve finlandeze dyshohet se është kryer nga Ukraina.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se zgjerimi i sulmeve kundër objektivave ruse në rajonin e Baltikut përbën një zhvillim shqetësues që rrezikon të rrisë më tej tensionet në zonë.

“Është një trend shumë i rrezikshëm, zgjerimi i aktivitetit terrorist në rajonin e Detit Baltik. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe çon në përshkallëzim të tensioneve në rajon”, u shpreh Peskov para gazetarëve.

Reagimi i Moskës vjen pasi Finlanda njoftoi se kishte zbuluar një sulm me dron ndaj anijes ruse të mallrave “Sparta 2” në ujërat ndërkombëtare të Gjirit të Finlandës. Pas incidentit, anija, e cila ndodhej rreth 90 kilometra në lindje të Helsinkit, u përfshi nga një zjarr dhe u drejtua fillimisht drejt ujërave finlandeze për ndërhyrje emergjente, përpara se të tërhiqej më pas në drejtim të ujërave ruse.

Peskov komentoi gjithashtu pretendimet e Ukrainës për sulme ndaj dy anijeve ruse pranë brigjeve të Libisë, por shmangu detajet, duke thënë se Moska kishte marrë në konsideratë deklaratat e Kievit.

Sipas Kremlinit, shtetet e rajonit baltik duhet të përdorin ndikimin e tyre ndaj Ukrainës për të shmangur veprime të tjera që Rusia i cilëson si të rrezikshme dhe destabilizuese.

Deti Baltik është kthyer në një nga pikat më të ndjeshme të përplasjes mes Rusisë dhe Perëndimit që prej nisjes së luftës në Ukrainë në vitin 2022. Gjiri i Finlandës përbën një korridor jetik detar për Rusinë, pasi lidh vendin me Shën Petersburgun, qytetin e dytë më të madh rus dhe një nga portet kryesore të saj.

Ndërkohë, autoritetet ruse aktivizuan edhe një alarm ajror në enklavën e Kaliningradit pas raportimeve për një objekt të dyshimtë që po afrohej nga drejtimi i Lituanisë. Guvernatori rajonal bëri të ditur se specialistët kryen verifikimet e nevojshme dhe nuk u konstatuan kërcënime për sigurinë.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Lituanisë hodhi poshtë çdo pretendim për përfshirje në incident, duke i cilësuar si të pavërteta raportimet që lidhnin Vilniusin me sulmet e raportuara në rajonin e Kaliningradit.

Zhvillimet e fundit shtojnë shqetësimet për zgjerimin e tensioneve në Detin Baltik, një rajon me rëndësi të madhe strategjike ku prej muajsh janë shtuar incidentet dhe akuzat reciproke mes Rusisë, Ukrainës dhe vendeve anëtare të NATO-s.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme