E hënë, 23 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Vrasja e “Sel Çamit” në Fier, shoqërohen në polici 3 persona
Lajme

Vrasja e “Sel Çamit” në Fier, shoqërohen në polici 3 persona

Hetimet përqendrohen te një “Volvo”

Tre persona janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Fierit në kuadër të hetimeve për atentatin mafioz ku u ekzekutua 60-vjeçari Selami Hasani, i njohur në zonë me nofkën “Sel Çami”. Hetuesit po verifikojnë dëshmitë e personave të shoqëruar, ndërsa një automjet tip “Volvo” është kthyer në një nga elementët kryesorë të hetimit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në oborrin e banesës së viktimës, ku autorët e armatosur hapën zjarr ndaj tij. Nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur rëndë edhe nipi i 60-vjeçarit, i cili ndodhej pranë tij në momentin e sulmit.

Pavarësisht veprimeve hetimore të kryera deri më tani, personat që organizuan dhe ekzekutuan atentatin ende nuk janë identifikuar. Autorët vijojnë të jenë në kërkim, ndërsa grupi hetimor po punon për të rindërtuar lëvizjet e tyre para dhe pas krimit.

Një prej pistave ku janë përqendruar hetuesit lidhet me gjurmimin e automjeteve që kanë qarkulluar në zonën ku ndodhi atentati. Nga pamjet e kamerave të sigurisë të administruara deri tani është evidentuar prania e një automjeti tip “Volvo”, lëvizjet e të cilit po verifikohen nga autoritetet.

Megjithatë, pamjet e siguruara nuk ofrojnë ende një dokumentim të qartë të autorëve apo të itinerarit që kanë ndjekur para dhe pas ekzekutimit.

Ndërkohë, tre personat e shoqëruar po merren në pyetje për të sqaruar nëse kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes apo mund të ndihmojnë në identifikimin e personave të përfshirë.

Hetimet vijojnë në disa drejtime, me fokus te analizimi i provave të mbledhura në vendngjarje, verifikimi i pamjeve filmike dhe gjurmimi i automjetit të dyshuar. Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e autorëve apo motivin e atentatit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.