I konsideruar si “Messi i Turqisë”, Emre Mor, ka vendosur të tërhiqet përkohësisht nga futbolli në moshën 29-vjeçare. Vendimi i futbollistit turk është bërë i ditur gjatë ditës së sotme nga klubi holandez i NEC Nijmegen, ku së fundmi palët koshin dakord gjatë verës për një kontratë 2-vjeçare, por që për momentin është ndërprerë me konsesus të plotë.
“Që kur isha fëmijë, kisha vetëm një ëndërr: të bëhesha futbollist profesionist. Të kesh mundësinë ta jetosh atë ëndërr do të thotë gjithçka për mua. Gjithmonë jam përpjekur të jap gjithçka për sportin që e dua kaq shumë,” citohet të ketë thënë Mor në deklaratën e klubit.
Ai shpjegoi se “disa probleme shëndetësore” e kanë shtyrë të marrë vendimin “për t’u larguar përkohësisht nga futbolli profesionist dhe për t’u përqendruar te vetja”. Mor theksoi se ka “arritur në një pikë ku duhet ta dëgjoj trupin tim, të respektoj kufijtë e mi dhe ta vendos mirëqenien time në plan të parë”. Ai shtoi se mbetet “besimplotë për atë që më rezervon e ardhmja”.
Drejtori teknik i Nijmegen-it, Carlos Aalbers, e përshkroi Mor si “një futbollist shumë të talentuar” dhe u shpreh se ndarja e menjëhershme ishte “zgjidhja më e mirë për të dyja palët”: “Shëndeti është gjithmonë i pari. I urojmë Emre-s gjithë të mirat në këtë situatë, si dhe shumë suksese në të ardhmen.”
Mor iu bashkua Borussia Dortmund nga Nordsjaelland në vitin 2016, për një shumë prej rreth 10 milionë eurosh, duke mbajtur mbi supe pritshmëri të mëdha. Në të vetmin vit që qëndroi në klub, ai regjistroi vetëm 19 paraqitje në ndeshje zyrtare, duke shënuar një gol dhe duke dhënë dy asiste. Pas një sezoni, ai kërkoi largimin, por kalimi te Inter-i dështoi në momentet e fundit, pasi agjenti i tij i asaj kohe, Muzzi Özcan, paraqiti kërkesa shtesë financiare ndaj klubit italian.
Më pas karriera e tij filloi të merrte tatëpjetën ku ndërroi shumë klube e kampionate e derisa sot vendosi të tërhiqet, edhe pse thotë që është përkohësisht.







