
Kërkesa e PD për të kundërshtuar përdorimin e identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhjet e 9 majit ka hapur një debat politik dhe ligjor në Komisionin Rregullator të KQZ-së.
PD argumenton se Kodi Zgjedhor i jep Rregullatorit kompetencën për të vendosur mbi përdorimin ose heqjen e teknologjisë, ndërsa KQZ mbështet vijimin e identifikimit elektronik, të aplikuar që prej zgjedhjeve të vitit 2021.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se sistemi nuk ka parandaluar votimin e dyfishtë, pasi pajisjet nuk komunikojnë në kohë reale mes qendrave të votimit.
Për miratimin e projektvendimit nevojiten katër nga pesë votat e anëtarëve të Komisionit Rregullator, çka kërkon edhe mbështetjen e të paktën një përfaqësuesi të propozuar nga PD.
Në rast mosmiratimi, mund të krijohet pasiguri për identifikimin e zgjedhësve në 5,225 qendrat e votimit, ndërsa çështja mund të përfundojë për shqyrtim në Kolegjin Zgjedhor.