Gjendja e disa ndërtesave të amortizuara vijon të përbëjë shqetësim për sigurinë publike. Këtë herë problematika është evidentuar në zonën e Sahatit në Shkodër, ku një pallat paraqet dëmtime të dukshme në pjesën e jashtme, ndërsa fragmente nga fasada kanë përfunduar në hapësirën poshtë ndërtesës.
Situata ka vënë në alarm banorët e zonës, të cilët druhen se pjesë të tjera të strukturës mund të shkëputen dhe të godasin njerëzit që kalojnë aty pranë. Sipas tyre, dëmtimet nuk janë shfaqur për herë të parë, por janë përsëritur edhe më herët, pa u pasuar nga një zgjidhje përfundimtare.
Shqetësimi lidhet veçanërisht me mungesën e masave parandaluese, pasi kalimi pranë godinës vijon të mbetet një rrezik i mundshëm për këmbësorët.
Banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të verifikojnë gjendjen e ndërtesës dhe të ndërhyjnë përpara se situata të përfundojë në një incident me pasoja për jetën e qytetarëve.














