Tyson Fury diagnostikohet me skizofreni

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.11.2026, 18:25

Boksieri britanik Tyson Fury ka bërë një rrëfim tronditës për problemet e tij të shëndetit mendor, duke zbuluar se është diagnostikuar me skizofreni dhe çrregullim bipolar, pas një periudhe të errët që nisi pas fitimit të titullit kampion bote në vitin 2015.

Rrëfimi vjen në dokumentarin e ri të Netflix, të titulluar “Tyson Fury”, ku boksieri dhe bashkëshortja e tij, Paris, flasin për vështirësitë e rënda psikologjike që ai përjetoi pas fitores ndaj Wladimir Klitschko.

Fury tregon se gjatë asaj periudhe vuante nga ankthi i rëndë, dëgjonte zëra në kokën e tij dhe kishte bindjen se njerëz të ndryshëm kërkonin t'i bënin keq atij dhe familjes së tij.

“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë errësirën në të cilën ndodhesha. Mendoja 100% se do të përfundoja në një dhomë të mbyllur, me derën të kyçur, dhe kjo më tmerronte”, rrëfen ai në dokumentar.

Boksieri tregon se gjendja e tij u përkeqësua aq shumë sa nuk arrinte as të zhvillonte një bisedë normale, pasi dëgjonte vazhdimisht zëra në mendjen e tij. Ai iu drejtua një psikiatri në Londër, ku u diagnostikua me probleme të shëndetit mendor.

Bashkëshortja e tij, Paris, zbulon se Fury ishte diagnostikuar me një formë të lehtë të skizofrenisë, ndërsa në dokumentar trajtohet edhe diagnoza e çrregullimit bipolar.

Pas kësaj periudhe, Fury u përball edhe me varësinë nga alkooli dhe droga, si dhe me mendime vetëvrasëse. Megjithatë, me mbështetjen e familjes dhe rikthimin te stërvitja, ai arriti të ringrihej dhe të rikthehej në majat e boksit, duke mposhtur Deontay Wilder në vitin 2020.

Dokumentari do të publikohet në Netflix më 27 nëntor, ndërsa rrëfimi vjen vetëm pak javë përpara përballjes së shumëpritur të Fury me Anthony Joshua, e planifikuar për 11 dhjetor në Cardiff të Uellsit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit