Një markë kineze e lëshon veturën nga shkëmbi “për të dëshmuar sigurinë e saj”

Në fillim të nëntorit 2026, BYD tërhoqi vëmendjen pasi vendosi rekord të ri të shpejtësisë për një veturë prodhimi me modelin U9 Xtreme, me fuqi prej afro 3.000 kuajfuqish, duke arritur shpejtësinë prej 503,17 km/h.
Tani, një tjetër markë kineze, Geely, ka zgjedhur një mënyrë po aq spektakolare për të promovuar modelin e saj të ri Lynk & Co 07 GT: e ka lëshuar veturën nga një shkëmb për të dëshmuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë e saj.
Prova e pazakontë e përplasjes u realizua me një veturë të prodhimit serik në Zhangjiakou të Kinës. Në video shihet vetura duke u nisur nga një rampë me shpejtësi prej 70 km/h, për të fluturuar më pas mbi skajin e shkëmbit dhe për t'u përplasur fillimisht me pjesën e përparme në tokë.
In the ongoing battle for most dramatic car safety demo, Lynk & Co has decided to launch a 07 GT off the end of a runway and over a cliff. It went well. https://t.co/oZuglCHP0X
— Inside China Auto (@InsideChinaAuto) November 19, 2026
Pas goditjes, vetura kërcen dhe rrotullohet disa herë, derisa përfundimisht ndalet mbi rrota.
Në fund të videos, të katër dyert hapen pa probleme. Edhe xhamat anësorë dhe xhami i përparmë duket se kanë mbetur të paprekur. Ndërkaq, çatia prej xhami është çarë, por nuk është shembur.
Geely thotë gjithashtu se jastëkët anësorë të ajrit kanë ruajtur presionin për më shumë se gjashtë sekonda.
Natyrisht, kjo provë nuk garanton se çdo veturë Lynk & Co 07 GT do të reagojë në të njëjtën mënyrë në një aksident të ngjashëm.
Për më tepër, modeli ende nuk i është nënshtruar testeve të pavarura të përplasjes. /Telegrafi/

































