
Ish-futbollisti dhe trajneri Vangjel Mile vlerëson se Tirana ka stofin për të konkurruar për titullin kampion, pavarësisht diferencës në pikë me kreun e renditjes. Në një intervistë televizive, Mile u ndal te barazimi i bardhebluve me Vorën, ecuria e Skënderbeut dhe situata te Dinamo.
Sipas tij, barazimi me Vorën nuk duhet parë si zhgënjim për lojën e zhvilluar, por skuadra po vuan mungesën e stabilitetit në formacion për shkak të dëmtimeve dhe problemeve fizike të lojtarëve. Për këtë ndeshje, bardheblutë ngecin sërish në renditje, siç raportohet edhe në kronikën e barazimit 0-0.
Mile theksoi se Tirana duhet të jetë në garën e parë për titullin, sepse diferenca me kryesuesit është e vogël dhe kampionatit nuk i dihet. “Tirana ka stofin për ta bërë këtë gjë. Thjesht duhet të krijojë stabilitet në formacionin e saj dhe më pas të fillojë të marrë frytet e veta, pse jo, fitore pas fitores”, u shpreh ai. https://www.youtube.com/watch?v=Oauapyx1umg Skënderbeu dhe puna e trajnerit Mataj Te Skënderbeu, Mile vuri në dukje progresin e skuadrës korçare, e cila vjen nga fitorja e pestë radhazi dhe dy barazime.
Sipas tij, ekipi ka prodhuar lojë që në fillim të kampionatit, edhe pse rezultatet nuk e shoqëronin gjithmonë. Ish-futbollisti veçoi punën e trajnerit Julian Mataj, të cilin e rendit ndër pesë trajnerët më të mirë në Shqipëri. “Mendoj se ka kualitete brenda ekipit, por forca më e madhe e këtij ekipi është trajneri”, tha Mile, duke vlerësuar bagazhin taktik dhe pasionin e Matajt.
Dinamo, shtatë javë pa fitore Për Dinamon, Mile komentoi humbjen përballë Elbasanit dhe theksoi se skuadra dinamovite nuk po kalon momentin më të mirë. Sipas tij, është për të ardhur keq që Dinamo ka shtatë javë që nuk arrin të fitojë. Megjithatë, ai vlerësoi se ekipi ka zhvilluar ndeshje me lojë të mirë dhe se rezultati është pjesë edhe e fatit. “Nuk është ajo Dinamo që kemi parë dhe që tregon klasifikimi”, u shpreh Mile.
