• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, November 23, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kosova

Pse po kundërshtohet projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore në Kosovë?

by A. Q
23/11/2026 19:12
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Kuvendi i Kosovës miratoi më 20 nëntor, në lexim të parë, Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit dhe Lista Serbe reaguan duke thënë se projektligji mund të cenojë pozitën e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe mbrojtjen e objekteve të saj fetare.

Reagoi edhe Lëvizja Studentore, që fitoi zgjedhjet në Serbi. Ajo ngriti pikëpyetje për kompetencat që inspektorati do të ketë mbi pronat dhe objektet fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Kërkesa kryesore është që projektligji të kthehet për plotësim dhe që, para se të procedohet sërish, të konsultohet Kisha Ortodokse Serbe.

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, thotë se projektligji synon ta riorganizojë inspektoratin ekzistues, në mënyrë që ai të ketë më shumë mundësi për ta mbrojtur trashëgiminë kulturore. Sipas saj, ndryshimet e propozuara nuk e cenojnë Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, përcjell A2.

Në vitin 2008, Kosova miratoi Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, të mbështetur në Planin e Ahtisaarit, me qëllim mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të pronës së saj. Ligji mbron manastiret, kishat dhe objektet e tjera fetare ortodokse serbe në Kosovë, si dhe vendet e tjera me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike për komunitetin serb.

Manastiri i Deçanit

Mbrojtja e Kishës Ortodokse Serbe trajtohet edhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të vitit 2023, për të cilën palët u pajtuan edhe për një aneks zbatimi, thuhet se “Kosova duhet të sigurojë një nivel shtesë të mbrojtjes për objektet dhe trashëgiminë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”.

Liritë fetare përmenden edhe në Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, të njohur si Marrëveshja e Uashingtonit. Ajo u nënshkrua në shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump.

Çfarë kundërshtohet në projektligj?

Përmes projektligjit, institucionet e Kosovës synojnë të përcaktojnë se si do të mbikëqyret dhe mbrohet trashëgimia kulturore. Por, Lista Serbe thotë se kompetencat e gjera që i jepen inspektoratit mund të cenojnë të drejtat dhe kompetencat e Kishës Ortodokse Serbe, sidomos në zonat e mbrojtura.

Lista Serbe, që ka nëntë nga dhjetë deputetët e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, kundërshton në veçanti nenet 5 dhe 6. Këto nene i japin inspektoratit të drejtën t’i kontrollojë në mënyrë të pavarur asetet e trashëgimisë kulturore dhe të urdhërojë pezullimin e punimeve, përfshirë ato të konservimit dhe restaurimit.

Kundërshtimet lidhen edhe me kompetencën për të nisur procedurat për pezullimin ose revokimin e lejeve dhe me masat që projektligji parasheh për ndërhyrjet brenda zonave të mbrojtura.

Sipas Listës Serbe, mbetet e paqartë nëse projektligji i ruan garancitë e veçanta që Kisha Ortodokse Serbe gëzon sipas ligjeve në fuqi.

Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura mbulon manastiret dhe kishat ortodokse, tokën dhe hapësirën përreth tyre, mjedisin natyror, peizazhin dhe rrugët e qasjes. Për ndërhyrje të caktuara, ligji i detyron komunat t’ia kërkojnë pëlqimin Kishës.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila deri më tani ka vepruar me mbështetjen e Beogradit, kërkon që ligji t’i përcaktojë qartë këto kompetenca, për të shmangur interpretime të ndryshme.

Në raportin vjetor për Kosovën, të publikuar më 4 nëntor, Komisioni Evropian vuri në dukje se rregullat interpretohen në mënyra të ndryshme dhe se ka pasur shkelje të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Komisioni kërkoi që mbrojtja e Kishës, e paraparë me Planin e Ahtisaarit dhe e konfirmuar me marrëveshjen e vitit 2023, të rregullohet plotësisht me ligj. Ai kërkoi gjithashtu që Këshilli për Zbatim dhe Monitorim ta ushtrojë plotësisht rolin e tij.

Çfarë thotë Qeveria e Kosovës?

Kur e prezantoi projektligjin, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, tha se ai riorganizon inspektoratin që tashmë funksionon. Më pas, ajo hodhi poshtë pretendimet se projektligji mund të cenojë pozitën e Kishës Ortodokse Serbe.

Sipas saj, inspektorati ndërhyn edhe sot kur kryhen punime pa leje dhe projektligji nuk e ndryshon këtë kompetencë.

Bogujevci tha se janë mbajtur konsultime publike dhe se projektligji mund të ndryshohet ose të plotësohet deri në leximin e dytë.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit tha në një komunikatë se nuk ishte konsultuar për projektligjin dhe kërkoi që kjo të bëhet para miratimit përfundimtar.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Qeveria e Kosovës dhe nga ministri nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq, por nuk mori përgjigje.

Rashiq i kishte thënë më herët Radio Kim se deputeti i partisë së tij nuk kishte marrë pjesë në votim, pasi partia nuk kishte informacion të mjaftueshëm për projektligjin.

Në arsyetimin e saj, Qeveria thotë se projektligji përcakton mënyrën se si do të themelohet, organizohet dhe funksionojë Inspektorati Qendror i Trashëgimisë Kulturore si organ ekzekutiv në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Sipas Qeverisë, ai do të krijojë kushtet ligjore, profesionale dhe praktike që inspektorati të kontrollojë se në çfarë kushtesh ruhen asetet e trashëgimisë kulturore, të vlerësojë gjendjen e tyre dhe të marrë masa mbrojtëse kur është e nevojshme.

Pas miratimit në lexim të parë, projektligji i kalon komisionit përkatës, i cili shqyrton vërejtjet e palëve të interesuara dhe amendamentet e mundshme. Pastaj, Kuvendi e shqyrton në lexim të dytë. Nëse nevojitet rishqyrtim, teksti përfundimtar mund të hidhet në votim në lexim të tretë.

Kontestet e mëhershme mes Kishës dhe autoriteteve të Kosovës

Për 16 vjet, Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë ishte palë në një kontest gjyqësor për 24 hektarë tokë dhe pyll. Çështja ishte nëse prona u takonte ndërmarrjeve shoqërore Apiko dhe Iliria apo Manastirit të Deçanit.

Në vitin 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor të manastirit. Autoritetet lokale refuzuan ta zbatonin aktgjykimin, pasi e konsideronin atë si “legalizim” të vendimit të vitit 1997, me të cilin ish-presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ia kishte dhuruar pronën manastirit.

Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar vazhdimisht zbatimin e aktgjykimit. Ai u zbatua në mars të vitit 2024, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti. Kurti tha më pas se qëndrimi i tij ndaj atij që e cilësoi si vendimin më të dëmshëm ndonjëherë nuk do të ndryshonte dhe se zbatimi i tij ishte bërë për hir të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Punimet në rrugën Deçan–Plavë janë ndërprerë disa herë, pasi rruga kalon nëpër një zonë të mbrojtur. Në vitin 2020, përmes Këshillit për Zbatim dhe Monitorim, u arrit një marrëveshje që rruga ta anashkalojë Manastirin e Deçanit. Në këtë këshill bëjnë pjesë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, të Kishës Ortodokse Serbe dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Një tjetër kontest gjyqësor ka të bëjë me Kishën e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë. Universiteti i Prishtinës thotë se objekti i Kishës Ortodokse Serbe ndodhet brenda kampusit dhe se është ndërtuar pa të drejtë në tokën e universitetit në vitet ’90, gjatë regjimit të Millosheviqit.

Për çfarë tjetër reagoi Dioqeza?

Të dielën, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit reagoi edhe ndaj deklaratës së Arbër Rexhajt, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet. Rexhaj tha se, përmes Planit të Ahtisaarit, trashëgimia ortodokse shqiptare iu mor shqiptarëve dhe u shpall serbe.

“Dioqeza vlerëson se deklarata të tilla kanë tipare të gjuhës së urrejtjes. Ato nxisin armiqësi dhe u japin murgjve, murgeshave, klerikëve dhe besimtarëve arsye për t’u shqetësuar për sigurinë e tyre”, thuhet në reagim.

Në vitin 2022, Kisha Ortodokse Serbe e ndërpreu komunikimin me Qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosja, pasi i cilësoi deklaratat e zyrtarëve të lartë si joprofesionale dhe politikisht nxitëse.

Si reagoi Lëvizja Studentore në Serbi?

Më 22 nëntor, Lëvizja Studentore shprehu shqetësim se projektligji mund të ndikojë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe.

“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore duhet të mbështetet në parime profesionale, në sundimin e ligjit dhe në respektimin e garancive ligjore ekzistuese. Mekanizmat e rinj të inspektimit nuk duhet të dobësojnë mbrojtjen e posaçme të manastireve dhe kishave ortodokse serbe, as të anashkalojnë procedurat dhe kompetencat që parasheh Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura”, thuhet në komunikatë.

Lëvizja u bëri thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare ta përcjellin procesin, duke pasur parasysh “garancitë ekzistuese sipas së drejtës ndërkombëtare për mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe, pronës dhe trashëgimisë së saj kulturore në Kosovë dhe Metohi, si dhe garancitë dhe detyrimet juridikisht të detyrueshme që Prishtina ka marrë përsipër në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin”.

Në mesin e korrikut, pastori Mark Burns, këshilltar jozyrtar i presidentit amerikan Donald Trump për çështje shpirtërore, u takua me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Pas takimit, ai tha se do t’ia përcillte Departamentit amerikan të Shtetit vëzhgimet e tij për pozitën e Kishës dhe liritë fetare në Kosovë.

Burns shkroi më pas në rrjetin social X se Departamenti amerikan i Shtetit kishte nisur bisedime diplomatike me Serbinë “për t’i kërkuar llogari Kosovës për trajtimin e keq të të krishterëve, përfshirë besimtarët e Kishës Ortodokse Serbe”. /REL/

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Pse po kundërshtohet projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore në Kosovë?

Pse po kundërshtohet projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore në Kosovë?

November 23, 2026
Rutte “ngre” tonet ndaj eurodeputetëve në PE: BE-ja nuk mund të mbrohet pa SHBA-në! Vazhdoni të ëndërroni

Raketat ruse në Poloni, reagon Rutte: Incident i rrezikshëm, po verifikojmë nëse ishte i qëllimshëm!

November 23, 2026
“Situatë e rëndë institucionale”- Avokati Ndreca nga Burgu i Fierit: Nuk më lejojnë të takohem me Veliajn, do i drejtohem Gjykatës për ndërhyrje!

“Situatë e rëndë institucionale”- Avokati Ndreca nga Burgu i Fierit: Nuk më lejojnë të takohem me Veliajn, do i drejtohem Gjykatës për ndërhyrje!

November 23, 2026

Merz: Anëtarësimi i Ukrainës në NATO mund ta kishte parandaluar luftën aktuale me Rusinë!

November 23, 2026
Sa do na kushtojë çekiçi i gjyqtarit?

Ç’përfitojmë nga transfertat e parave IPSA?

November 23, 2026
Zjarr në parkimin e policisë greke në Athinë, digjen disa autobusë të forcave speciale!

Zjarr në parkimin e policisë greke në Athinë, digjen disa autobusë të forcave speciale!

November 23, 2026
Mot i keq dhe dimër/ Bora e parë në Kukës, reshjet zbardhin zonën pranë Tunelit të Kalimashit!

Mot i keq dhe dimër/ Bora e parë në Kukës, reshjet zbardhin zonën pranë Tunelit të Kalimashit!

November 23, 2026
Porositi ekzekutimin e gruas së tij Liridona Ademaj, Naim Murseli mbetet në burg përjetë, i njëjti dënim dhe për killerin! Apelit lë në fuqi vendimin

Porositi ekzekutimin e gruas së tij Liridona Ademaj, Naim Murseli mbetet në burg përjetë, i njëjti dënim dhe për killerin! Apelit lë në fuqi vendimin

November 23, 2026
Champions League/ Ndeshja PSG-Roma me nivel të lartë rreziku, rritet alarmi për trazira! Franca merr masat

Champions League/ Ndeshja PSG-Roma me nivel të lartë rreziku, rritet alarmi për trazira! Franca merr masat

November 23, 2026
“Prioritet fermat e mëdha dhe tregjet e BE-së”- Buxheti 2027 për Bujqësinë, zv/ministri Jaupllari: 18 miliardë lekë në dispozicion, rritje me 10%

“Prioritet fermat e mëdha dhe tregjet e BE-së”- Buxheti 2027 për Bujqësinë, zv/ministri Jaupllari: 18 miliardë lekë në dispozicion, rritje me 10%

November 23, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In