Duka: “Dyert e hapura për të gjithë shqiptarët, por skemi luftë me askënd! Konkurrenca sportive ekziston”

23 Nëntor 2026
19:33
Telesport
back button

Presidenti i FSHF, Armand Duka te “Sport Fokus” foli edhe per raportet me Kosovën, rekrutimin e talenteve: “Futbolli është lojë, nuk është luftë. Fjala luftë në futboll ekziston vetëm për luftë sportive, për konkurrencë sportive, për ta promovuar gjithkush sa më shumë skuadrën e vet, në rastin konkret federatën e vet.

Unë nuk jam në luftë as me presidentin e Federatës së Francës, as me presidentin e Federatës së Gjermanisë, as me atë të Çekisë dhe aq më pak me atë të Kosovës. Aq më pak me institucionin e Kosovës, për të cilin luftë mund të konsideroj atë që kemi bërë të gjithë ne, jo vetëm unë, por edhe paraardhësit e mi në Federatën e Futbollit dhe e gjithë federata, për të qenë dhe për të ekzistuar Federata e Kosovës edhe në kohët kur ishte me shumë vështirësi. Kjo ka qenë luftë, kurse tjetra është konkurrencë sportive.

Në 90 minuta padyshim që konsiderohet luftë sportive kundër çdo lloj kundërshtari, por ne jemi të gjithë për një qëllim: për të zhvilluar futbollin.

Për t’u kthyer pak më konkretisht te pyetja juaj, politikat e Federatës së Futbollit, për fat të mirë ose të keq, unë jam për shumë kohë aty, kanë qenë gjithmonë të tilla: dyert e hapura për të gjithë shqiptarët.

Ka ndodhur gjatë kohës që jam unë që në kombëtaren shqiptare kanë luajtur shumë shqiptarë, të cilët kanë lindur dhe janë rritur jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, për arsye të historisë së Shqipërisë. Kanë lindur në Kosovë, në Maqedoni apo diku tjetër. U është dhënë një shans dhe kanë pasur një mundësi më shumë për të luajtur në Shqipëri.

Kjo politikë as ka ndryshuar dhe as do të ndryshojë. Kjo nuk do të thotë që ne i marrim futbollistët dikujt apo i japim futbollistët dikujt. Ne u japim shans për të luajtur dhe këtë të njëjtën gjë bën edhe Kosova, të njëjtën gjë bën edhe Gjermania.

Brajan Gruda është një djalë shqiptar, djali i Bujar Grudës, që ka luajtur me Vllazninë. Kjo do të thotë që ne jemi në luftë me Federatën gjermane? Jo. As me Federatën gjermane dhe as me familjen Gruda. Ne e duam shumë Brajanin, herë-herë bëjmë edhe tifozllëk për Gjermaninë, por e donim shumë që të vinte në Shqipëri. Ai vendosi të luajë në Gjermani dhe ne i urojmë sukses.”

Lajme të tjera

Lajmet e fundit