Emanuela Shahini ishte vetëm 31 vjeçe, nënë e dy fëmijëve dhe prej kohësh jetonte në Prata di Pordenone. E reja me shtetësi shqiptare humbi jetën në një aksident tragjik automobilistik, që ndodhi të dielën, më 22 nëntor.
Një ditë që kishte nisur me synimin për të kaluar momente të këndshme me miqtë dhe familjarët, përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme, duke shkaktuar dhimbje të madhe në të gjithë komunitetin.
Emanuela Shahini humbi jetën teksa po udhëtonte drejt zonës së Villanova-s, ku e priste një festë ditëlindjeje. Së bashku me të ndodheshin edhe fëmijët e saj, 4 dhe 6 vjeç, si dhe një fëmijë tjetër 10-vjeçar. Vajza më e vogël ndodhet aktualisht e shtruar në spitalin Santa Maria della Misericordia në Udine, pasi u transportua me helikopter në gjendje të rëndë, megjithëse nuk është në rrezik për jetën.
Si ndodhi aksidenti
Në total, katër persona u përfshinë në këtë aksident tragjik, që ndodhi të dielën në Prata. Ngjarja u regjistrua rreth orës 11:30, në rrugën Via Casali Nogherate. E reja po transportonte tre fëmijët drejt festës së ditëlindjes së nipit të saj, e cila ishte organizuar në qendrën komunitare të zonës Villanova.
Gjatë udhëtimit, për shkak të kushteve të asfaltit të lagur nga shiu, automjeti tip ‘Ford Fiesta’, me të cilin udhëtonin katër personat, humbi kapjen me rrugën pranë një kthese. Emanuela Shahini nuk arriti të mbante kontrollin e makinës, e cila doli nga rruga, u përplas me një shtyllë betoni dhe më pas u përmbys.
Zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe karabinierët ndërhynë menjëherë për të nxjerrë personat nga automjeti dhe për t'u shpëtuar jetën. Megjithatë, në momentin kur mbërritën në vendngjarje, gjendja e 31-vjeçares ishte tashmë kritike.
Gruaja u transportua me urgjencë në spitalin e Pordenones, ku iu nënshtrua trajtimit në urgjencë. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë përmes procedurave të reanimacionit kardiopulmonar, ajo ndërroi jetë në orën 12:30.
Edhe tre fëmijët e tjerë pësuan lëndime nga përplasja. Shqetësim të veçantë shkaktoi gjendja e vajzës 4-vjeçare, e cila u transportua me urgjencë në spitalin e Udines. Dy fëmijët e tjerë u dërguan në urgjencën e spitalit të Pordenones, në gjendje të klasifikuar me kod të verdhë, për kontrolle mjekësore.
Fatmirësisht, asnjëri prej tre fëmijëve nuk ndodhet në rrezik për jetën.
© SYRI.net