Gjykatat iraniane kanë vendosur që Shtetet e Bashkuara t’i paguajnë Iranit 290 miliardë dollarë dëmshpërblim, bëri të ditur të hënën një zyrtar i sistemit gjyqësor, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
“Ne kemi siguruar vendime nga gjykatat vendase, përmes të cilave u është kërkuar amerikanëve të paguajnë 290 miliardë dollarë dëmshpërblim”, deklaroi Hassan Abdolianpour, kreu i Qendrës së Juristëve pranë sistemit gjyqësor iranian, në një prononcim për televizionin shtetëror.
Ai bëri të ditur gjithashtu se janë ngritur disa padi kundër vendeve arabe të Gjirit, të cilat akuzohen se kanë lejuar përdorimin e territorit të tyre nga SHBA-të për të kryer sulme kundër Iranit.
Sipas televizionit shtetëror, shuma e kërkuar lidhet me veprime të Shteteve të Bashkuara që datojnë prej disa dekadash, ndërsa nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi vendimet gjyqësore apo mënyrën e llogaritjes së dëmeve.
Lufta në Lindjen e Mesme nisi më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndërmorën një valë sulmesh ndaj Iranit, ku mbeti i vrarë edhe udhëheqësi suprem i vendit, Ajatollah Ali Khamenei.
Në përgjigje, Teherani lëshoi raketa dhe dronë drejt disa vendeve të rajonit, duke deklaruar se objektivat ishin bazat dhe asetet amerikane dhe izraelite në këto territore.
Ndërkohë, memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në qershor në Islamabad mes SHBA-së dhe Iranit, i cili synonte të hapte rrugën drejt një marrëveshjeje paqeje, përfshinte edhe një pikë për hartimin e një plani nga Washingtoni dhe partnerët e tij rajonalë.
Plani parashikonte të paktën 300 miliardë dollarë për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit.
Përveç përplasjes ushtarake, Irani është përballur prej dekadash me sanksione të rënda ekonomike të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, kryesisht për shkak të programit të tij bërthamor.










