Satelit me armë bërthamore – NATO paralajmëron Rusinë : Mbrojtja përfshin edhe hapësirën

Botë | 1 minutë më parë

NATO ka deklaruar se mbrojtja e Aleancës shtrihet edhe në hapësirë, pas raportimeve se Rusia po përgatit lëshimin e një sateliti të pajisur me armë bërthamore.

Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, deklaroi në Berlin se Aleanca do të garantojë sigurinë e çdo pëllëmbe të territorit të saj, përfshirë edhe hapësirën.

Në një konferencë të përbashkët me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, ai theksoi se NATO vlerëson vazhdimisht kapacitetet e saj mbrojtëse dhe masat e parandalimit.

Rutte nënvizoi se këto përpjekje përfshijnë të gjithë aleatët, nga Europa te Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, duke përmendur edhe sfidat e sigurisë në Arktik.

Deklaratat vijnë pas raportimeve të mediave gjermane se shërbimet perëndimore të inteligjencës kanë ngritur alarmin për një projekt rus të quajtur Sputnik-S.

Sipas këtyre raportimeve, sateliti është përfunduar dhe mbahet në zonën e Moskës, ndërsa lëshimi i tij mund të ndodhë brenda javëve të ardhshme, ndoshta gjatë muajit dhjetor.

Zyrtarët ushtarakë gjermanë thuhet se kanë informuar edhe ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius, për rrezikun e mundshëm.

Shqetësimi kryesor lidhet me pasojat që mund të shkaktonte një shpërthim bërthamor në orbitën e ulët të Tokës, duke dëmtuar ose çaktivizuar satelitët dhe sistemet globale të navigimit, komunikimit dhe parashikimit të motit.

Nga ana tjetër, Ambasada ruse në Berlin i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar raportimet si pjesë të një fushate propagandistike dhe duke këmbëngulur se programi hapësinor i Moskës ka qëllime paqësore.

Megjithatë, paralajmërimet e inteligjencës kanë shtuar shqetësimin në Perëndim për militarizimin e hapësirës dhe rrezikun që një armë e tillë do të paraqiste për sigurinë globale

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme