
Mesfushori i Gjermanisë dhe i Borussia Dortmundit, Felix Nmecha, ka përfunduar në radarin e Real Madridit, sipas mediave spanjolle. 26-vjeçari përshkruhet si një “përbindësh i mesfushës” dhe zotëron shumë nga cilësitë që trajneri portugez José Mourinho dëshiron t’i shohë në mesfushën e klubit madrilen.
Ndër to përmenden fiziku i fuqishëm, qëndrueshmëria, prezenca në fushë dhe puna e mirë si me topin, ashtu edhe pa të. Mourinho besohet se e sheh Nmecha-n si “çelësin e suksesit të projektit të tij” në Madrid, raportojnë mediat spanjolle, të cilat nuk përmendin burime zyrtare të klubit ose të lojtarit për këtë interesim.
Sipas tyre, që nga largimi i Toni Kroos dhe Luka Modric, mesfusha qendrore ka qenë pika më problematike për Real Madridin. Shumë ekspertë mendojnë se dështimi për të gjetur zëvendësues të përshtatshëm për dyshen në fjalë ka kontribuar në dy vitet pa trofe nën drejtimin e Carlo Ancelotti-t, Xabi Alonso dhe Alvaro Arbeloa.
Felix Nmecha është nën kontratë me klubin verdhezi deri në vitin 2030. Vlera e tij në treg sipas Transfermarkt është 65 milionë euro, shifër që përafërsisht pritet të kërkojë edhe Borussia Dortmund për të lejuar largimin e tij.
