Një 51-vjeçar është kapur duke përdorur kufje gjatë provimit teorik për lejen e drejtimit në qytetin e Geel, në Belgjikë, duke përfunduar me përjashtimin nga provimet e drejtimit për një vit.
Sipas mediave belge, burri u pikas nga personeli i qendrës së testimit, pasi kishte vendosur kufje gjatë zhvillimit të testit. Pajisja ngriti dyshime për një tentativë mashtrimi, përmes së cilës kandidati mund të merrte ndihmë nga jashtë për t’iu përgjigjur pyetjeve.
I pyetur për arsyen e përdorimit të tyre, 51-vjeçari dha një justifikim të pazakontë, duke pretenduar se priste një telefonatë nga një koleg.
Megjithatë, përdorimi i pajisjeve të komunikimit gjatë provimit konsiderohet shkelje e rregullave. Në Flandër, kandidatët që kapen duke mashtruar ose duke tentuar të manipulojnë provimin përjashtohen për 12 muaj nga dhënia e provimeve të drejtimit.













